Është ngjarje e bukur në fakt se si një shkollë e vendit tonë, konkurron mes 30 shkollave nga e gjithë bota, në programin ndërkombëtar “School Enterprise Challenge 2022”. Ndaj, që shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” të shpallet fituese e këtij konkursi, ne duhet të votojmë për të. Detajet i gjeni më poshtë.
Mësuesit dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, Durrës, kanë mundur të marrin pjesë dhe të kalojnë të gjithë fazat e konkursit “School Enterprise Challenge 2022”.
Tashmë, mes 30 shkollave nga e gjithë bota, pretendojnë të fitojnë edhe “Çmimin e publikut”, për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
Për këtë, të gjithë ne mund të votojmë online në këtë link:
Çfarë është “School Enterprise Challenge”?
“School Enterprise Challenge” ose në shqip “Sfida e Ndërmarrjeve Shkollore”, është një program biznesi ndërkombëtar për shkollat. Ai i ndihmon të rinjtë në mbarë botën të zhvillojnë aftësitë e biznesit dhe aftësitë thelbësore të jetës. Ose e thënë me thjesht, është një mundësi për të rinjtë që të bëhen sipërmarrës ndërsa janë ende në shkollë. Studentët marrin drejtimin për të ngritur një biznes me bazë në shkollë që gjeneron fitime reale të cilat ata mund t’i përdorin për të mbështetur shkollën e tyre, komunitetin më të gjerë ose një kauzë sociale.
Por si nisi e gjitha?
“Ne, shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” Durrës, pas marrjes së informacionit nga prindi i shkollës sonë njëkohësisht dhe mësuese e TIK-ut, Dentila Garipi, e cila ishte informuar nëpërmjet qendrës “lunaheducationcenter”, për programin ndërkombëtar, School Enterprise Challenge 2022, vendosëm të marrim pjesë në këtë projekt prestigjioz. Lexuam email-in informues në muajin prill, më pas hymë në platformën zyrtare dhe krijuam një ide më të qartë të veprimtarive (projekteve, synimeve e qëllimeve të këtyre programeve). Duke qenë një përvojë e re dhe e panjohur për ne, u munduam të dëgjojmë zërat e të gjithë mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Pas mbledhjes së ideve dhe diskutimeve, ngritëm grupin fillestar të punës i përbërë nga : nxënësit Kiara Lika, Roan Garipi, Samanta Koçi, Antea Gërxhani, mësuesit Marsida Rrodostani, Blerta Shabani, Etleva Çelmeta, Natasha Alushi dhe prindi, Dentila Garipi. Duke qenë se ishte periudhë e pushimeve verore të gjitha takimet zhvilloheshin nëpërmjet platformës online, Zoom. Gjatë kësaj periudhe hartuam projekt idenë, e cila u paraqit nëpërmjet një ‘dreamposteri’, gjë për të cilën u vlerësuam me certifikatën e parë. Në përfundim të çdo faze, secila shkollë vlerësohej me një certifikatë”, rrëfen kështu drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini” Durrës, Etleva Çelmeta.
Ndërkohë ajo vazhdon më tej duke na treguar se me fillimin e vitit shkollor puna u bë më e thjeshtë, pasi kontakti me nxënësit dhe mësuesit ishte i përditshëm. Sipas saj ata punuan intensivisht për të vënë në zbatim idetë e tyre.
Me çfarë po konkurron shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në “School Enterprise Challenge 2022”?
Në këtë konkurs shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, është e fokusuar në këto drejtime:
a)përdorimi i teknologjisë nëpërmjet klubit të kodimit dhe përdorimit të micro:biteve,
b) krijimeve artistike,
c)krijimeve artizanale
d) krijimeve agrokulturore.
Të gjitha këto drejtime kishin në fokus Zhvillimin e Qëndrueshëm nëpërmjet riciklimit. Numri i nxënësve të përfshirë në këtë projekt u zgjerua edhe më, ku secili grup kishte rreth 15-20 nxënës. Në total numri i nxënësve shkoi në 80, ndërsa grupi i projektit shkoi në 115.
“Në projekt u përfshinë me shumë kënaqësi prindërit e nxënësve, të cilët ishin mbështetja jonë kryesore. Qëllimet kryesore të projektit tonë përveç përdorimit të teknologjisë dhe sfidës së krijimit të një plan biznesi, ishin gjithëpërfshirja dhe futja e vajzave në kodim. Për këtë qëllim në projekt kemi edhe nxënës me AK, të cilët na kanë mrekulluar me punimet e tyre: Kevin Keta me punimet detajiste me plastelinë, klasa e 8-të dhe Aeltja Hodo me punimet artizanale me rruaza, klasa e 2-të”, ka thënë drejtoreshë Etleva ndërsa shtoi “Gjatë muajve shtator –tetor nxënësit dhe mësuesit, punuan edhe pas procesit mësimor, por edhe gjatë fundjavës, sepse dëshironim të realizonim një punë cilësore, e cila do të na përfaqësonte denjësisht para një jurie ndërkombëtare. Panairi u realizua në datën 22 nëntor të vitit 2022, në ambientet e Galerisë, të cilat na u ofruan nga Bashkia Durrës”.
Sipas drejtoreshës së shkollës, ky Panair pati një ndikim të madh në mediet lokale dhe në opinionin qytetar. Nxënësit nëpërmjet këtij panairi kuptuan rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit nëpërmjet riciklimit të shumë materialeve, duke krijuar vepra artistike me to.
“Një vlerësim motivues morëm dhe nga ZVA Durrës. Në këtë sfidë bashkëshoqëruese me ne ishte dhe shkolla 9-vjeçare ‘Qemal Mici’ Durrës, me projektin e tyre. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nxënësi i kësaj shkolle, u vlerësua si ‘Nxënësi më i Mirë i Vitit’, ndërsa shkolla jonë u vlerësua me Gold Level Award, dhe më pas u nominua për çmimin ‘Special Recognition Prize’. Ky çmim kërkon mbështetjen e të gjithë partnerëve nëpërmjet rrjeteve sociale, me qëllim që ne të fitojmë “Çmimin e Publikut”, në këtë sfidë dhe të përfaqësojmë denjësisht Shqipërinë. Falënderojmë të gjithë ata që do të na mbështesin dhe do të bëjnë të mundur që Ne të jemi fituesit e kësaj sfide kaq të rëndësishme!”, ka përfunduar drejtoresha Etleva Çelmeta. /Portali shkollor/