Mosha trevjeçare për pavarësimin e fëmijëve për higjienë personale ka sjellë mospajtime mes prindërve e edukatoreve të institucioneve parashkollore. Prindërit ankohen se edukatoret duhet të kujdesen për fëmijët, varësisht zhvillimit të tyre personal, e jo duke u bazuar në metodologji shkencore. Këto mospajtime mes tyre i shpërfaq edhe mungesa e një legjislacioni unik që parasheh detyrat dhe veprimet kur fëmijët nuk arrijnë të mësohen të përdorin tualetin pa ndihmën e askujt.
Mungesa e kurrikulës bërthamë për edukimin në fëmijërinë e hershme, ka sjellë paqartësi te çështja e kujdesit të higjienës personale ndaj të vegjëlve nga edukatoret e institucioneve parashkollore.
Në mungesë të saj, disa nga institucionet arsimore bazohen në dokumentin mbi standardet e zhvillimit dhe të mësuarit në fëmijërinë e hershme.
Aty thuhet se nga mosha 2 deri në 3 vjeç, të vegjlit duhet të përdorin tualetin me pak ndihmë nga edukatoret. Ndërkaq nga mosha 4 vjeç, fëmija duhet t’i plotësojë vetë nevojat personale pa ndihmën e askujt.
Në këtë dokumentacion theksohet se validimi i moshës është bërë duke u bazuar në metodologjinë shkencore.
E, në institucionin parashkollor “Yllkat” në kryeqytet kanë thënë se kur është fjala për pastrimin e të vegjëlve nuk bazohen në moshë e as në dokumentacione, por në zhvillimin individual të fëmijëve.
Sipas drejtoreshës Rifadije Sopi, ka raste kur fëmijët i pastrojnë deri në moshën gjashtëvjeçare. Ajo theksoi se nga mosha trevjeçare fillojnë t’i mësojnë fëmijët që të pastrohen vetë.
“Ndërrimi i fëmijëve dhe pastrimi i fëmijëve pas nevojave fiziologjike bëhet sipas grupmoshave të ndara, do të thotë 1 deri në 3, po kemi eventualisht raste kur trajtohen 3 deri në 6 vjeç, që do të thotë edhe atyre iu ofrohet ai shërbim”, ka thënë Sopi.
E, prindërit janë ankuar se të vegjlit e tyre që nuk arrijnë të pavarësohen nga mosha trevjeçare, shpeshherë injorohen nga edukatoret.
“Ne si prindër normal nuk jemi të kënaqur as me veten tonë, ndryshe mendojmë me i rrit fëmijët e ndryshe na imponohet. Ka ankesa të ndryshme prej prindërve të ndryshëm, të cilat janë të arsyeshme dhe fëmijët nuk janë të gjithë të njëjtë, dikush pavarësohet më shpejt, dikush më ngadalë, dikush më lehtë, dikush më vështirë”, ka thënë Albana Ramadani-Osmani, kryetare e Prindërve të Institucioneve Parashkollore në Prishtinë.
Pavarësimi për higjienë personale nga mosha 3-vjeçare, sipas psikologes Adelina Ahmeti, ka efekte të rëndësishme në zhvillimin intelektual të fëmijës.
“Sa më herët që fillon fëmija të pavarësohet në aspektin e higjienës personale, do të ndikojë te fëmija në rritjen e vetëbesimit e konfidencialiteti, normal që fëmija këtë pavarësi e fiton përmes punës së prindërve apo të asistentit edhe gjatë periudhës në shtëpi, por edhe gjatë qëndrimit në kopsht nga ana e edukatoreve, nëse fillohet pavarësia duhet t’i kushtohet vëmendje në aspektin e higjienës personale, duhet të jetë paralel në të gjitha ambientet”, ka thënë Ahmeti.
Hartimi i kurrikulës bërthamë pritet të finalizohet sivjet, bashkë me Projektligjin e ri për edukimin në fëmijërinë e hershme, ku parashihet që nga vitit i ardhshëm shkollor të bëhet i obligueshëm niveli parafillor. /KOHA/