Rrallë mund të gjesh një profesion tjetër përveç mësuesisë ku mësimdhënësit janë obliguar e të përkushtuar ndaj punës dhe nxënësit.
Shoqëria duhet të kujdeset që mësimdhënësve t’u krijojnë kushte të përshtatshme dhe të mjaftueshme për ushtrimin e profesionit të tyre. E kushtet nuk janë vetëm një mjedis i ngrohtë dhe komod por edhe më gjerë.
Gjatë veprimtarisë së tyre mësuesit nuk bëjnë vetëm punën e mësimdhënësit.
Në kushtet tona ku shoqëria e shikon por nuk e vlerëson figurën e mësuesit si të gkitjanshme, duhet të kuptojnë se mësuesit i duhet të ushtrojnë disa profesione brenda punës së tyre.
-Mësuesi është mësimdhënës. Ai jep njohuri shkencore për nxënësit dhe i përgatit për vazhdimin e niveleve më të larta të arsimimit deri në përzgjedhjen e profesionit të tyre të dëshirueshëm dhe të arritshëm.
-Mësuesit duhet të jetë edukator, përforcues i edukatës që nxënësit marrin nga familja dhe shoqëria, nxitës i socializimit, familjarizimit dhe unitetit dhe respektit midis nxënësve.
-Mësuesi duhet të jetë edhe psikolog. Në kushtet tona ku akoma nuk është e mjaftueshme numri i psikologëve në shkolla, ku në disa shkolla kanë psikologun me kohë të kufizuar ( 2-3 shkolla një psikolog) kjo detyrë i bie që çdo ditë t’a bëjnë mësuesit, gjë që ngarkon punën e tij.
-Mësuesit duhet të bëjnë punën e prindit. Shkolla është i vetmi institucion ku prindi e çon fëmijën e tij të pashoqëruar. Kjo nga besimi i krijuar si institucion i dijes dhe kulturës. Por kjo nuk mjafton. Disa prindër ( për mos me thënë shumica) e shikojnë shkollën si institucion që kryen të gjitha detyrat dhe për pjesën e tyre si prind, mendojnë se kanë obligim vetëm të çojnë fëmijët në shkollë dhe kaq. Të tjerat duhet t’i bëjnë mësuesit.
-Mësuesit duhet të jenë edhe nxënës. Ata duhet të kuptojnë gjykimin dhe logjikën e secilës moshë që nga klasa e parë e deri në të dymbëdhjetën, shpesh të “bien” në nivelin e nxënësit që të kuptojnë qëllimet, dëshirat dhe të bëhen pjesë e angazhimeve të tyre.
-Mësuesit duhet të bëjnë punën e punonjësve të sigurisë në shkollë. Edhe në këtë aspekt çdo ditë mësuesit përballen me problematika në punën e tyre. Punonjësit e sigurisë në shkolla sot kushtëzohen me numrin e nxënësve, ku shumica e shkollave nuk e kanë. Duke marrë parasysh kushtet e sotme që përreth shkollave sillen narkotrafikantë, manjakë…., prania në duart e nxënësve të telefonave dhe përdorimi i rrjeteve sociale nga ata, konfliktet rastësore midis nxënësve, ngarkon punën e mësuesit. Ata duhet të kujdesen që nxënësit të mos bien pre e tyre.
Si përfundim mund të themi me bindje se mësuesit kanë detyrë të vështirë që shpesh shoqëria nuk e vlerësojnë aq sa duhet. Mësuesit kërkojnë mbështetje e kjo duhet të vijë nga të gjithë shoqëria. Në cilin profesion tjetër të shoqërisë janë të gërshetuara një larmi profesionesh si tek profesioni i mësuesit. Sa duhet vlerësuar puna e mësuesi?
Nga: Bujar Hajdarmataj drejtues në shkollën “Hoxhë Zogu” Tropojë.