I pamjaftueshëm është vlerësuar vendimi i Ministrisë së Arsimit për pajtueshmërinë e punimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë.
Sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, një pjesë e madhe e stafit akademik do të shpëtojë pa iu nënshtruar verifikimi të punës së tyre akademike. E studentët kërkojnë që i gjithë stafi akademik të hetohet për plagjiaturë.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit, me të cilin obligohet stafi akademik t’i ngarkojë disertacionet e doktoratave dhe listën me publikime shkencore në platformën E-akreditimi, është vlerësuar i pamjaftueshëm për luftimin e plagjiaturës.
Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila e ka nën menaxhim platformën elektronike, parasheh që ta verifikojë stafin e institucioneve gjatë procesit të akreditimit të tyre.
Sipas Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, me këtë vendim të ministrisë, një pjesë e madhe e stafit të universiteteve të arsimit të lartë shpëton pa iu nënshtruar verifikimit të punës së tyre akademike, pasi verifikohen vetëm bartësit e programeve.
“Një pjesë e madhe e stafit akademik mbesin të paverifikuar punimet e tyre sa i përket plagjiaturës, sepse me udhëzimin administrative aktual për profesorë që ngarkojnë tema të doktoratës dhe që janë në proces të akreditimit ata janë të vetmit që verifikohen. Një pjesë e madhe e profesorëve që nuk janë në proces të akreditimit e të gjithë profesorët që kanë punime nuk parashihet verifikimi i plagjiaturës së punimeve të tyre”, ka thënë Dibran Hoxha, hulumtues në ORCA.
E studentët e Universitetit të Prishtinës kërkojnë që verifikimit të punës akademike t’i nënshtrohet i tërë stafi akademik, e jo vetëm bartësit e programeve.
“Ne jemi për rregullore që parasheh pajisjen e sistemeve më të sofistikuara të cilat kanë të bëjnë me plagjiaturë dhe si e tillë duhet ketë edhe masa më radikale duke çuar në përjashtimin nga universiteti… ne jemi që të shkojnë në përgjithësi në verifikim, e jo vetëm me emra të përveçëm”, ka thënë Toklir Zyba, nga “Studim, Kritikë, Veprim”.
Në Ministri të Arsimit nuk e kanë komentuar specifikisht verifikimin e vetëm një pjese të stafit, por kanë thënë se në muajt në vijim do të nisë mbështetja për mekanizmat që sigurojnë rritjen e integritetit akademik.
“Në kuadër të zotimit tonë për rritjen e cilësisë dhe integritetit akademik në arsimin e lartë, MASHTI ka ndarë buxhet që në vitin 2023 të ngrejë kapacitetet për antiplagjiaturë. Ky buxhetim bëhet për të forcuar implementimin e vendimit të vitit të kaluar të ministres Nagavci për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë. Mbështetja do të jetë në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare, duke nisur nga sistemet softuerike, e deri te mekanizmat që sigurojnë cilësinë në këtë drejtim. Muajt në vijim janë të paraparë për punën në kompletimin e kësaj rregullative për antiplagjiaturë dhe zbatimin e saj konform planifikimeve dhe synimeve tona”, ka thën[ MASHTI.
Tash për tash, universitetet publike në vend nuk posedojnë mekanizmat më të sofistikuar për identifikimin e vjedhjes së punës akademike.
Në Universitetin e Prishtinës kanë thënë se janë duke e parë mundësinë që ta mbulojnë koston e qasjes së plotë institucionale në shërbimin “Turnitin”, i cili njihet si softueri më i sofistikuar për identifikimin e plagjiaturës. /KOHA/