Fatbardha është një grua në kufijtë e 60-ave e cila ka një pasion të hershëm, atë të punimit me grep dhe me shtiza.
Një zanat i hershëm që fatkeqësisht nuk po përcillet tek brezi i ri për shkak te mungesës së interesit, por edhe evoluimit teknologjik të kohës. Fatbardha Shuaipaj, jeton në fshat në Njësinë Administrative Antigone Bashkia e Gjirokastrës dhe prej shkollës fillore, nuk i ka lëshuar ndonjëherë grepin apo shtizat nga duart.
Punimet e saj janë kryesisht prej leshi me metodën e vjetër të përpunimit. Ajo thur kryesisht dantella, çentro, perde në punën me grep, pa harruar edhe shtizat që janë funksionale kryesisht për çorapet, bluzat, apo dhe jelekët që prodhohen nga leshi i të imtave.
Fatbardha me profesion është arsimtare, por ajo nuk e ndan nga dora grepin pasi shfrytëzon në maksimum kohën e lirë dhe kësisoj e gjen si argëtim këtë punë që në mjaft raste ka qenë fitimprurëse. Fillimet e veta, i ka në moshë fare të re kur ka qenë nxënëse në shkollën 8-vjeçare, dhe i qëndron besnik pasionit të hershëm.
‘Unë kam që në klasën e 4-tërt që kam filluar të mësoj punën e dorës. Më lindi pasioni të mësoja grepin. Në fillim e kam pasur të vështirë pasi është një punë e imët. U mundova e mësova dhe pastaj e kam pasur shumë të vështirë vetëm kur kisha ndonjë model të vështirë. Unë zakonisht kryer nga të gjitha llojet e punimeve. Në ditët e sotme nuk vazhdon shumë pak, vetëm ndonjë si mosha ime, kurse të rinjtë se kanë pasion punën e dorës dhe sapo vjen dhe zhduket.’- u shpreh Fatbardha.
Ajo e ka trashëguar nga të parët këtë zanat dhe do të dëshironte që t’ua përcillte moshave të reja ku vështirë se do ta donin një punë të tillë. Në ecurinë e saj dhjetëravjecare, Fatbardha ka punuar me qindra dantella me grep ndërkohë që disa prej perdeve të punuara prej saj, zbukurojnë dritaret e hoteleve të ndryshme të Gjirokastrës. Puna me dorë siç shprehet ajo, është aq e vështirë sa dhe e dashur.
‘Duke parë shoqet moshataret e mia më lindi pasioni dhe punoja me qejf. Të them të drejtën vajza ime nuk e mësoi sepse nuk e kishte qejf. Kjo mua më shplodh më kënaq, ndjej një kënaqësi të madhe kur e punoj.’- tha ajo.
Gruaja nga Antigoneja, ka një mesazh për moshat e reja e gjithashtu edhe për autoritetet arsimore. Për këto të fundit ajo apelon rikthimin e punës së dorës në sistemin 9-vjeçar ashtu siç ka qenë dikur dhe kjo, për të trashëguar ato vlera etno-kulturore që po harrohen apo dhe identitetin kombëtar.
‘E kam një mesazh për vajzat e reja ta mësojnë këtë zanat të vazhdojnë mos ta humbasin pasi me këtë zanat ke edhe fitim edhe kënaqësi. Është diçka e bukur. E mira është që të futet puna e dorës si lëndë mësimi që të mësojnë edhe vajzat e reja dhe mos të humbasë tradita.’- u shpreh Fatbardha.
/Shqiptarja.com/