Media për arsim AlbanianEducation.net, disa ditë më parë, publikoi njoftimin e SBASHK-ut se edhe këtë vit 450 anëtarë të sindikatës do të dërgohen për pushim në bregdetin shqiptar.
Megjithatë, pas publikimit të këtij lajmi, në komentet e lexuesve kanë mbërritur reagime nga disa mësimdhënës, të cilët shprehin pakënaqësinë e tyre, duke thënë se pavarësisht se prej shumë vitesh janë pjesë e sistemit arsimor dhe anëtarë të SBASHK-ut, nuk kanë përfituar asnjëherë nga ky organizim.
Në komentet e publikuara në rrjetet sociale, ata kanë kërkuar sqarime lidhur me kriteret e përzgjedhjes së përfituesve, duke vënë në pikëpyetje transparencën e procesit.
Në një koment, një mësimdhënëse ka thënë se edhe pse është anëtare e SBASHK-ut, dhe ka 39 vite pune në arsim, asnjëherë nuk i është dhënë mundësia të shkojë në pushime.
Kurse, një komentues tjetër ka shtruar pyetjen: Me çfarë kriteresh përzgjedhen mësimdhënësit për të shkuar në pushime. Ai ka këruar që kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj të tregoi si zgjidhen mësimdhënësit.


Megjithatë, një komentues ka dalë në mbrojtje të SBASHK duke thënë se mësimdhënësi më i vjetër në kolektiv merr pushimin falas si dhuratë për shumë vite pune, dhe nëse nuk është në gjendje të shkoj zëvendësohet nga një mësues tjetër të vjetër.

AlbanianEducation.net mbetet i hapur për publikimin e qëndrimit zyrtar të SBASHK-ut lidhur me shqetësimet e ngritura nga mësimdhënësit dhe kriteret që përdoren për përzgjedhjen e përfituesve të këtij aktiviteti. /AlbanianEducation.net/.