Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka emëruar sot Taulant Kelmendi, zëvendësministër të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Pas pranimit të detyrës, zv.ministri Kelmendi përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin për ndryshime thelbësore në arsimin kosovar, duke siguruar që të gjithë nxënësit dhe studentët të kenë mundësinë të marrin një arsim cilësor dhe të përgatiten për botën e sotme dhe të ardhmen, shkruan Albanian Education.
Postimi i tij:
Nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, kam pranuar detyrën e zëvendësministrit të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Përgjatë angazhimit të deritanishëm në fushat e arsimit, teknologjisë dhe inovacionit kam identifikuar mundësi të pafundme për ndërlidhje dhe progres të këtyre fushave.
Do vazhdojmë angazhimin për ndryshime thelbësore në arsimin tonë, duke siguruar që të gjithë nxënësit dhe studentët të kenë mundësinë të marrin një arsim cilësor dhe të përgatiten për botën e sotme dhe të ardhmen.
Ndërlidhja e arsimit me kërkesat e tregut të punës është sfidë e rëndësishme në arritjen e këtij qëllimi. Unë jam i gatshëm të eksplorojmë mënyrat më të mira e inovative për të arritur objektivat e Qeverisë tonë.
Do të punoj ngushtë me ministren, Arbërie Nagavci, dhe ekipin e saj të përkushtuar për të arritur këto qëllime dhe për të ndërtuar një sistem arsimor progresiv.
Ju faleminderit për mbështetjen dhe shpreh gatishmërinë për të punuar me gjithsecilin për arsim më të mirë për gjithë.