E premte, 20 Dhjetor, 2024

Yllza Shabani: Reformat në arsimin e mesëm

- Advertisement1-

Universiteti i Tetovës “Fadil Sulejmani”

Fakulteti Pedagogjik

- Advertisement -

Programi: Arsim Elementar

Tema: Reformat në arsimin e mesëm

Lënda: Reformat dhe tendencat evropiane në arsim

Mentore: Prof.Dr. Rabije Murati                                          Studente: Yllza  Shabani

Tetovë, 2023

Përmbajtja:

- Advertisement -rrrrrrr

Hyrje. 3

Shqyrtim i literaturës. 4

Përfundimi 8

Referencat bibliografike: 9

Hyrje

Arsimi i mesëm konsiderohet si arsimimi gjatë së cilit njerëzit kalojnë vitet e tyre të adoleshencës, megjithëse moshat mesatare të hyrjes dhe daljes në këtë periudhë arsimore dallojnë ndjeshëm mes vendeve të ndryshme. Kjo periudhë besohet se ofron një mjedis optimal për të pregatitur të rinjtë, më saktësisht adoleshentët për jetë të shëndetshme dhe produktive më tutje, duke përfshirë pjesëmarrjen në sfera të ndryshme si ajo sociale, politike dhe ekonomike.

Një definim rreth arsimit të mesëm do ishte se “Arsimi i mesëm ofron aktivitete mësimore dhe edukative duke u mbështetur në arsimin fillor dhe duke u përgatitur për hyrjen e parë në tregun e punës, ashtu edhe për arsimin pas të mesëm joterciar dhe terciar. Në përgjithësi, ai synon të mësuarit në një nivel të mesëm kompleksiteti ”. (Jacinto, 2011)

Sigurisht, edhe kjo fazë e arsimit përballet me vështirësi të ndryshme të cilat dalin përgjatë rrugëtimit të gjatë të procesit të arritjes së synimeve, si; sigurimi i një stabiliteti ndërmjet aksesit të barabartë, sigurimi i kurrikulave me cilësi dhe rëndësi të mjaftueshme për fitimin e aftësive të nevojshme për jetë produktive etj.

Fjalët kyce: arsim i mesëm, reformat, strukturat kurrikulare, perspektiva krahasuese.

Shqyrtimi i literaturës

Tema e reformave në arsim është temë me interes mjaft të madh për studiuesit e arsimit me qëllim të krahasimit të këtyre reformave në aspekt ndërkombëtar. Përpos interesit të madh, ato mbeten edhe nga temat më komplekse dhe të diskutueshme për shkak të efekteve që gjenerojnë në shoqëritë dhe vendet e ndryshme. Andaj, kjo situatë e bën të mundur të investigohen arsyet se pse reformat gjenerojnë ndryshime thelbësore në sisteme arsimore kudo në botë që aplikohen.

Reformat arsimore padyshim që meritojnë një shqyrtim të arsyeve, të objektivave të tyre, aplikimit dhe rezultateve të gjeneruara brenda sistemeve shkollore ku ato zbatohen. Ato konsiderohen si një pjesë thelbësore e axhendave politike të vendeve dhe organizatave ndërkombëtare të përfshira në hartim dhe aplikim të tyre. Si fushë me rëndësi të tillë, askush nuk mohon natyrën strategjike të arsimit si mjet për zhvillim dhe progres shoqëror. (C. R. Vasquez-Martinez, G. Giron, I. De-La-Luz-Arellano, A. Ayon-Banuelos, 2013)

Në epokën e shekullit të 21-të, ku jeta lëviz e ndryshon me shpejtësi dhe është tejet dinamike, inovacionet dhe ndryshimet e përmendura si ato teknologjike dhe të tjera, kanë bërë që ngritja e nivelit arsimor të shoqërive të ndryshme njerëzore të shndërrohet në një domosdoshmëri. Kjo “kërkesë” e cila vjen bashkarisht me zhvillimin e një vendi, favorizoi një shkollim të mesëm për individët me qëllim që ata të jenë të rritur aktiv të aftë për të jetuar dhe përshtatur në këtë epokë transformimi.

Fakti që shumë vende në botë investojnë burime të mëdha për rritjen e cilësisë së edukimit dhe arsimimit të qytetarëve të tyre, tregon mjaft rreth rëndësisë së reformave në arsim të cilat synojnë ngritje të kompetencave dhe aftësive të qytetarëve për tregun e punës mëtutje. Arsimi i mesëm i ulët është bërë pjesë e arsimit bazë në shumë vende dhe shumë vende të tjera po përpiqen drejt universalizimit të aksesit në arsimin e mesëm të lartë për qytetarët e tyre. (UNESCO, Access to Secondary Education, 2010)

Andaj, sic thuhet edhe në artikullin “ Ecja përpara me reformën e arsimit të mesëm: cështje, sfida dhe propozime” (Opertti, 2010), dispozitat kurrikulare të arsimit të mesëm duhet të udhëhiqen duke pasur parasysh rolin madhor të kësaj shkalle të arsimit si një politikë ekonomike dhe sociale, si nxitje të edukimit gjithëpërfshirës të qytetarisë dhe si një “mjet” mjaft i fuqishëm për promovimin e shoqërive paqësore dhe të civilizuar.

Duke përdorur aksesin për të gjithë shoqërinë në arsimin e mesëm si arsim bazë, shumë vende të ndryshme po ndjekin këtë si një qasje për zhvillim dhe rritje të shpejtë ekonomike. Falë politikave të tyre të shëndosha ekonomike duke përfshirë investimin në arsim me cilësi të lartë për të gjithë, vende si Republika e Koresë, u zhvilluan nga një vend në zhvillim në një vend që eksporton produkte teknologjike të sofistikuara në mbarë botën.

Ngjashëm edhe në Republikën e Maqedonisë, duke pasur parasysh se resurset njerëzore janë një faktor i rëndësishëm me të cilin mund të përfshihen në procesin e zhvillimit global, përcaktimi strategjik për zhvillimin e këtij vendi është konsideruar të jetë ngritja e nivelit arsimor të popullatës.  (Murati, 2019)

Synimet në arsim u përcaktuan nëpërmjet një sërë dokumentesh, me anë të së cilave shteti i Maqedonisë mori përgjegjësi për reformat, të cilat në nivel të shkollimit të mesëm mund të paraqiten në këtë mënyrë:

  • Promovimi i integrimit të nxënësve që u përkasin bashkësive të ndryshme etnike, nëpërmjet veprimtarive të përbashkëta mësimore dhe jashtëmësimore, mësimi së bashku i gjuhëve, përmirësimit të kushteve hapësinore për integrim, sigurimi i kompetencave ndërnjerëzore dhe ndërkulturore sociale e shoqërore;
  • Përmirësimi dhe përshtatja e infrastrukturës arsimore, e Planit e programit mësimor dhe teksteve për nxënësit me nevoja të vecanta arsimore; sigurimi i kompetencave të arsimtarëve dhe shërbimeve profesionale që punojnë me nxënës të këtyre grupeve;
  • Sigurimi i bursave dhe kujdestarisë për nxënësit romë në shkollat e mesme; bursa për nxënësit me nevoja të vecanta arsimore; transport falas dhe mjete të tjera të përkrahjes;
  • Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet pushteteve qendrore dhe lokale etj.,

Sa i përket arsimit profesional dhe trajnimit:

  • Të bëhet sa më tërheqës ATP[1], cilësia dhe rëndësia e tij, me anë të rregullimit të ndryshimeve shoqërore dhe teknologjike në njërën anë dhe nevojave dhe karakteristikave të nxënësve në tjetrën;
  • Formimi i një qasje të arsimit të mesëm të APT duke u bazuar në kompetenca të përgjithshme dhe kryesore dhe rezultate të pritura të mësimit;
  • Zhvillimi i sistemit për parashikimin e nevojave për shkathtësitë (sidomos nëpërmjet vendosjes së Observatorit të shkathtësive) dhe zhvillimi e operacionalizimi i sistemit informative në tregun e punës;
  • Futja në përdorim e një sistemi efektiv dhe fleksibil për përpilimin e Standardeve të profesioneve dhe të Standardeve të kualifikimeve që mbështeten në rezultatet e të nxënit, hartimi i planit dhe programit mësimor modular që mbështeten po ashtu tek rezultatet e të nxënit në pajtim me ato standarde që i plotësojnë nevojat e tregut të punës si dhe programet e nxënësve me nevoja të vecanta arsimore etj,. (Murati, 2019)

Vendet në të cilat sistemi i edukimit u ndikua nga Mbretëria e Bashkuar, janë zakonisht tre nivele të arsimit të mesëm. Sa i përket disa vendeve në Azi, nivelet e shkollimit të mesëm janë sic vijon: niveli i mesëm i ulët, i mesëm dhe i mesëm i lartë në Bangladesh, niveli fillor i lartë, niveli i mesëm dhe i mesëm i lartë në Indi, niveli i mesëm i ulët, i mesëm i lartë dhe arsimi i pas-mesëm në Malajzi, niveli i ulët, i mesëm i lartë dhe kolegji në Sri Lanka. (UNESCO, Asia-Pacific Secondary Education System Review Series, 2012)

Modeli i dytë i strukturës së niveleve të arsimit të mesëm është ai me 5 vjec arsim fillor +6,7 ose 8 arsim i mesëm, me vende si Italia, Turqia, Kanadaja, Franca etj. Modeli i tretë, apo ndryshe “modeli Gjerman” ka strukturën 4 vite arsim fillor dhe +8 apo 9 vite arsim i mesëm. Këtu bëjnë pjesë vende si Austria, Gjermania, disa kantone të Zvicrrës, Lituania etj.

Bullgaria, Skotlanda, disa vende të Australisë, Zambia etj., përfshihen në strukturën 7 vite arsim fillor +5 apo 6 vite arsim i mesëm. Vendet si Shqipëria, Mali i Zi, Brazil, India, Zelanda e re kanë nivelet 5 vite arsim fillor + 2,3,4 apo 5 vite arsim i mesëm dhe kështu me radhë. (POPOV, 2012)

Reformat e fundit të kohëzgjatjes së shkollimit të mesëm, duke eliminuar një vit të tërë arsimi, u zbatuan në Ontario, Kanada gjatë viteve 1999-2003 dhe në disa shtete gjermane duke filluar nga viti 2001 të planifikuara për t’u përfunduar në vitin 2016. Reformat në të dyja vendet shkurtuan shkollimin përgatitor universitar nga 13 në 12 vite, por detajet ndryshojnë në disa aspekte. Përderisa kurrikula ishte njejtë e ngjeshur, studentëve iu desh të plotësonin të njejtin numër kreditesh në atë afat kohor të shkurtuar. Synim kryesor i kësaj reforme ishte arritja e të njejtit nivel arsimor në më pak kohë se normalisht.

Teoritikisht, kjo reformë kishte si anët pozitive, edhe ato negativet. Nga ana pozitive, intensiteti i arsimit të lartë në kurrikulën e ngjeshur mund t’a përmirsojë efikasitetin e të mësuarit. Mirëpo, reforma mund të jetë e dëmshme për rezultatet e të nxënit në qoftë se, i tejkalon studentët i shkurton mundësitë për të mësuar më thellësisht dhe i lë ata më pak të pregatitur për arsim të lartë. Kur tema të ndryshme të mos jenë mjaftueshme të shtjelluara nga ana e mësimdhënësve, dhe studentët të jenë të mbingarkuar, studentët mund të jenë më pak të pregatitur për universitetin. (Thomsen, 2015)

Pas luftës së dytë botërore, vecanërisht me ngritjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si superfuqi kryesore ekonomike dhe politike, organizata të tilla si UNESCO, OECD po jepnin mbështetjen dhe kontributin e tyre për reformën e re arsimore e cila si parim kryesor kishte barazinë e mundësive arsimore për të gjithë. (Benavot, 2006)

Një reformë e tillë kishte për qëllim që personat, pavarësisht gjinisë, origjinës, fesë apo dallimeve të tjera kulturore apo statuseve ekonomike, t’u ipej mundësia për të zhvilluar talentet dhe aftësitë e tyre përmes arsimit të mesëm të detyrueshëm, ndryshe i quajtur si ideali meritokratik. Një sistem arsimor meritokratik, njihet ai sistem i atillë ku nxënësve u mundësohet të arrijnë synimet dhe marrin shpërblimet përkatëse duke mos u nvarur nga faktorët e jashtëm. Norma e zakonshme në shkolla është se arritja bazuar në merita shpjegon sukses të shkollës, dhe kjo meritë është mjet i vetëm rritjes së “nivelit” apo shkallës më të lartë- për nxënës në lidhje me statusin shoqëror, pavarisht gjinisë, përkatësisë etnike, statusit aktual shoqëror etj. (A. Erivwo, E. Varghese, A. Mathai, T. Afrin., 2021)

Kjo reformë zuri të zbatohej edhe në shumë vende evropiane, gjatë viteve 1960 dhe 1970, me miratimin e një legjislacioni me zgjatje arsimi të detyrueshëm, i cili mendohej të univerzalizonte aksesin për arsim të mesëm për të gjithë.

Nisma e transformimi të këtij niveli të arsimit ndodhi gjatë një periudhe vecanërisht aktive dhe dinamike në historinë e politikës europiane. Lëvizja për të siguruar mundësi më të mëdha arsimore dhe për të reduktuar pabarazitë sociale korrespondonin me zhvillime politike në Europën Perëndimore. Nisur nga kjo, shumë qeveri europiane me udhëheqje të kuadro liderësh me vizione modernizuese, nisën shkallë të gjera të reformave arsimore për krijim dhe zgjerim të shkollave të mesme gjithëpërfshirëse. (Benavot, 2006)

Përgjatë dekadave të fundit dhe me zhvillimin e botës me lëvizje mjaft dinamike, ndryshime të rëndësishme dhe reforma të ndryshme formësuan arsimin e mesëm duke e bërë atë i cili është sot. Edhepse arsimi i mesëm u krijua për t’i shërbyer arsimit të lartë akademik, janë shfaqur tendencat e mëposhtme:

  • Arsimi i mesëm po bëhet zgjatje apo vazhdim i detyrueshëm i arsimit fillor më shumë se fazë terminale për të përgatitur nxënësit për studime tutje në arsimin e lartë;
  • Kurrikula e arsimit të mesëm po transformohet më shumë në një kurrikulë të shkollës fillore, mirëpo me një gamë më të gjerë lëndësh, me më pak specializim dhe më shumë tema të integruara;
  • Mënyrat e mësimdhënies në shkollat e mesme po krijojnë ngjashmëri gjithnjë e më shumë me mënyrat e mësimdhënies të cilat përdoren në shkolla fillore, puna me projekte, të nxënit në bashkëpunim, metoda alternative të vlerësimit etj., si dhe;
  • Mësimdhënësit që japin mësim në shkollat e mesme janë duke u trajnuar dhe rekrutuar si mësues të shkollave fillore, disa prej tyre japin mësim në nivelet e mesme dhe të mesme të ulëta. (Sahlberg, 2007)

Ndërsa sa i përket nivelit rajonal, dhe me këto sisteme arsimore aktuale, Prof.Dr. Rabije Murati, në “Demokracia në shkollë” propozon:

  • Të arrihet konsesnsus në nivel kombëtar për përmirësimin e cilësisë së arsimit në përgjithësi;
  • Të drejtohen burimet arsimore dhe mësuesit e kualifikuar në një mënyrë të tillë, që të përfitojnë nxënësit që janë në kushte më të këqija;
  • Të rritet efektiviteti i praktikave të mësuesve pasi kjo është forca kyce për arritje të cilësisë;
  • Të zgjerohet mbulimi dhe të rritet cilësia e arsimit parashkollor, fillor, të mesëm e të lartë;
  • Të përmirësohet forca e të dhënave, besueshmëria dhe bashkëpunimi mes shkollës dhe institucioneve gjegjëse;
  • Ndryshim të strukturës së nxënësve që orientohen në studime arsimore (po edhe në degë tjera arsimore);
  • Depolitizim i arsimit etj,.(Murati, 2019)

Përfundimi:

Nuk është detyrë e lehtë për të përcaktuar shkallën e efektivitetit dhe produktivitetit të reformave arsimore në botë në shkollimin e mesëm. Janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen përpjekje të shumta për të vlerësuar rezultate të reformave në shkallë internacionale, mirëpo secili vend ka suksese dhe dështime në këto reforma.

Bota e sotme e globalizuar kërkon njohuri dhe aftësi të ndryshme nga të rinjtë gjersa ata përfundojnë shkollimin e mesëm dhe regjistrohen në studime të mëtutjeshme apo futen në tregjet e punës. Edhepse ka sfidat e veta, secili sistem i arsimit të mesëm varion nga një vend në tjetrin, mirëpo ende ka disa sfida të përbashkëta që në qoftë se jo në të gjitha, shumica nga sistemet arsimore të vendeve të ndryshme, po përballen me to ditëve të sotme. Me rritjen e regjistrimeve në arsim të mesëm, rritja e cilësisë dhe mësimdhënies, dhe vetë të nxënit po bëhet më e vështirë për të gjithë.

Ka shumë prova dhe fakte të cilat n’a tregojnë dhe shfaqin mjaft qartë se si vetëm aksesi dhe përqindje të larta të pjesëmarrjes në arsim të mesëm nuk do zgjidhnin probleme shtetërore apo politike në vend – ndoshta nuk do të zgjidhin as problemet e sistemeve arsimore, madje mund vetëm të krijojnë probleme të reja.

Deri në zgjidhjen e këtyre problemeve, sfida kryesore mbetet të sigurohet mësim me cilësi të mirë dhe kuptimplotë për të gjithë nxënësit.

Referencat bibliografike:

  1. Erivwo, E. Varghese, A. Mathai, T. Afrin. (2021). Meritocracy in the Educational System. International Socioeconomics Laboratory , 1-13.

Benavot, A. (2006). THE DIVERSIFICATION OF SECONDARY EDUCATION: SCHOOL CURRICULA IN COMPARATIVE PERSPECTIVE. Revista de currículum y formación del profesorado , 5-9.

  1. R. Vasquez-Martinez, G. Giron, I. De-La-Luz-Arellano, A. Ayon-Banuelos. (2013). THE EFFECTS OF EDUCATIONAL REFORM. Erics , 254-257.

Jacinto, C. (2011, August 17). Secondary Education. Retrieved January 2023, 13, from IIEP Learning Portal: https://learningportal.iiep.unesco.org/en/glossary/secondary-education

Murati, R. (2019). Demokracia në shkollë. Tetovë: Luma grafik.

Opertti, R. (2010). Moving forward with secondary education reform: issues, challenges and proposals. Research Gate , 3-6.

POPOV, N. (2012). STRUCTURES OF SCHOOL SYSTEMS WORLDWIDE: A COMPARATIVE STUDY. ERIC , 29-34.

Sahlberg, P. (2007). SECONDARY EDUCATION IN OECD COUNTRIES. etf – Sharing Expertise in Training , 4-12.

Thomsen, S. L. (2015). The impacts of shortening secondary school duration. IZA- World of Labor , 3-6.

UNESCO. (2010). Access to Secondary Education. UNESDOC – Digital library , 3-5.

UNESCO. (2012, May 8). Asia-Pacific Secondary Education System Review Series. Retrieved February 05, 2023, from UNESCO: https://unesdoc.unesco.org/in/documentViewer.xhtml?v=2.1.196&id=p::usmarcdef_0000190007&file=/in/rest/annotationSVC/DownloadWatermarkedAttachment/attach_import_4bde6b11-b8a2-4a67-a43b-16fa1d544c84%3F_%3D190007eng.pdf&updateUrl=updateUrl6190&ark=/ark:/4822

[1] Arsimi profesional dhe trajnimi

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Nxënësit nga shkolla “Emin Duraku” në Banullë të Lipjanit fitojnë medalje në garat e matematikës në Turqi

Nxënësit nga shkolla “Emin Duraku” në Banullë të Lipjanit kanë arritur sukses në Olimpiadën...

Nxënësja Jona Murseli nga Prishtina fiton medaljen e artë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës Turke

Jona Murseli, nxënëse e klasës |||1, në shkollën "Mitrush Kuteli" në Prishtinë ka bërë...

Rrëfimi i babait të një nxënësi që mori 500 euro nga shoku: Janë të dyshimta, i thash kthej, por nuk e bëri

Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur muajin e kaluar në një shkollë të mesme...

Flokarta Hoxha nga Prishtina zgjedhet “Studentja e Muajit” në një shkollë në Amerikë

Flokarta Hoxha, nxënëse e gjimnazit "Xhevdet Doda" në Prishtinë është shpallur studente e muajit...