Në kuadër të sukseseve në sektorin e arsimit për vitin e kaluar, Qeveria ka përfshirë furnizimin e Ministrisë së Arsimit me inventar e pako të mirëmbajtjes për 82 shkolla.
Nga 1.052 institucione të arsimit parauniversitar në nivel vendi, vetëm 55 shkolla janë furnizuar me fshesa elektrike e pajisje të tjera si kjo për mirëmbajtje.
Arritje është kualifikuar edhe furnizimi me pajisje sportive të 22 sallave të edukatës fizike. E kualifikimi si sukses i furnizimit me inventar e pako të mirëmbajtjes, është kritikuar nga njohës të arsimit.
Sipas Xhavit Rexhajt, sukses duhet të vlerësohet puna në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies.
“Diskutimi dhe shpjegimi i arritjeve në fushën e cilësisë apo performancës së mësimdhënësve do të ishte më e rëndësishme sesa sigurimi i pakove të ndryshme për mirëmbajtjen në shkolla, por është çështje e ministrisë ta vendosë këtë. Unë konsiderojë mbi të gjitha nëse e vlerësojmë vitin që shkoi duhet t’u referohemi vështirësive të shumta me të cilat është përballur sektori i arsimit, për shkak të grevës edhe për shkak të pasojave të pandemisë Covid në vitet paraprake. Unë mendojë se këto do të duheshin të trajtoheshin me përparësi nga ana e ministrisë”, ka thënë njohësi i Arsimit, Xhavit Rexhaj. /KOHA/