Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork, u mbajt një mbrëmje e veçantë kulturore, ku artistja e njohur Vlora Nikçi prezantoi librin e saj më të ri, “Bekime dhe Mallkime”. Ky event u shndërrua në një festim të trashëgimisë gojore shqiptare dhe të krenarisë sonë kolektive.
Në rolin e nikoqirit të kësaj ngjarjeje ishte Ambasadori Blerim Reka, i cili, përveç fjalëve përshëndetëse, i drejtoi autores një urim të ngrohtë e simbolik: “T’u shtofshin librat!”.
Vlora Nikçi, e njohur si aktore profesioniste dhe studiuese e përkushtuar e trashëgimisë kulturore, ka ndarë jetën dhe artin e saj mes Kosovës dhe Amerikës për më shumë se dy dekada. Me këtë libër, ajo sjell një dëshmi të rrallë të punës shumëvjeçare në terren, duke mbledhur materiale gojore nga Bjeshkët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi gjatë viteve 2021–2022. Frymëzimi i parë për këtë projekt nisi nga profesori i ndjerë, Prof. Dr. Sadri Fetiu, i cili mbetet një udhërrëfyes shpirtëror i këtij botimi.
“Duke qenë shqiptarë – një popull që padrejtësisht u çlirua vonë – neve na kërkohet të bëjmë më shumë sesa thjesht të ushtrojmë një profesion”, tha Nikçi.
“Sot, të jesh aktor, nuk mjafton të luash role. Profili ynë bëhet mision, bëhet rezistencë, kujtesë dhe ndërtim identiteti”.
Për Vlorën, ky mision është i lidhur ngushtë me përgjegjësinë historike – për të folur edhe në emër të atyre që nuk patën mundësinë ta bëjnë.
Në këtë kontekst, artisti nuk është vetëm krijues, por edhe mbrojtës i shpirtit, i gjuhës dhe i memories kolektive. Dhe kur kjo përgjegjësi përqafohet me dashuri, lind arti që është i nevojshëm dhe thellësisht i vërtetë.
Në fjalën e saj, Vlora ndau edhe kujtime nga libri i saj i parë, “Kangë popullore erotike”, duke treguar se shtysa për të hulumtuar këtë temë erdhi nga ndrojtja që kishin koleget aktore për të trajtuar skena erotike. “Kështu nisa të hulumtoj për ta çmitizuar erotikën nëpërmjet poezive dhe këngëve popullore”, tha ajo.
Nikçi falënderoi me mirënjohje të thellë figurat që e kanë mbështetur gjatë këtij udhëtimi: Dr. Shaban Sinani, recensent i librit; Rexhep Qosja, për këshillat e tij të vyera; si dhe Prof. Isuf Dedushaj. Ndër ilustrimet e veçanta që solli në prezantim, ishte edhe shprehja “qofsh pjella e dreqit” – një frazë e mbledhur në Malësi, të cilën e cilësoi si dëshmi të një populli që bëri paqe me shkëmbin dhe e ktheu qiellin në çati.
Z. Ed Hammel, përfaqësues i Kosova American Education Fund, vlerësoi kontributin e saj me këto fjalë: “Lidhja me të kaluarën dhe të kuptuarit e vazhdimësisë kulturore e bën Vlorën të aftë ta transmetojë këtë përmes artit të saj skenik”.
Mbrëmja u pasurua nga tingujt e klarinetës së Ylli Zhavelit, i cili interpretoi pjesë nga kompozitori Thoma Simaku, ndërsa moderatorja Doruntina Dushi krijoi një atmosferë të ngrohtë bashkëbisedimi mes autores dhe pjesëmarrësve.
Në përfundim, Vlora nënshkroi libra për të pranishmit dhe shprehu falënderime të përzemërta për interesimin dhe përkrahjen që mori. /Telegrafi/