Një tjetër histori suksesi nga Kosova po vjen nga fusha e shkencës dhe mjekësisë ndërkombëtare. Vlonjat Gashi nga Ferizaj ka përfunduar me sukses studimet doktorale në Universitetin e Colorados në Boulder, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke fituar titullin Doktor Shkence në fushën e Gjenetikës dhe Zhvillimit Embrional.
Në ceremoninë madhështore të diplomimit, ku diplomuan rreth 10 mijë studentë, Vlonjati ishte i vetmi shqiptar në këtë gjeneratë, duke shënuar kështu një arritje të rëndësishme akademike dhe profesionale.
Pas përfundimit të doktoraturës, ai tashmë ka nisur rrugëtimin e tij profesional si shkencëtar në Spitalin e Fëmijëve në Colorado, në departamentin e kirurgjisë. Puna e tij fokusohet në hulumtimin dhe trajtimin e sëmundjeve gjenetike gjatë zhvillimit embrional, një fushë me rëndësi të veçantë për mjekësinë moderne dhe shëndetin e fëmijëve.
Suksesi i Vlonjat Gashit po konsiderohet si një arritje që tejkalon kufijtë personalë dhe familjarë, duke përfaqësuar me dinjitet Kosovën në një prej fushave më të avancuara të shkencës.

Për këtë sukses, ai është pritur dhe uruar edhe nga përfaqësues institucionalë në Ferizaj, të cilët kanë vlerësuar kontributin dhe potencialin e tij si një vlerë e rëndësishme për shkencën dhe shëndetësinë në nivel ndërkombëtar. /Marrë nga Albinfo.ch.