Vlera e koeficientit nuk u publikua siç u premtua nga Qeveria: Sot ende asnjë fjalë nga ministrja Nagavci

- Advertisement -

“Në janar do të vendoset vlera e koeficientit. Nuk mund ta përcaktojmë koeficientin me Ligjin e Pagave, por me buxhet. Po kërkoj pak durim prej juve, saktësisht në janar të vitit 2023”. Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti më 24 dhjetor.

- paragrafi 1 -

Për ta mbajtur këtë premtim Kurti ka afat veç edhe pak orë, pasi është dita e fundit e muajit janar, ndërsa koeficienti i Ligjit të Pagave vazhdon të mbahet i fshehtë.

- Advertisement -

Ndërsa orët po ecin dhe vlera e koeficientit nuk po publikohet, në anën tjetër mësimdhënësit nuk e dinë se çfarë page do të marrin nesër apo pasnesër, kurdo që i ekzekuton Ministria e Financave.

Ndërsa mësimdhënësit janë në pritje, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk është bërë e ‘gjallë’ sot as në rrjetet sociale, shkruan Albanian Education.

Ndërsa dje ajo ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ “Zgjedhja, themelimi dhe funksionimi i Këshillit të Prindërve”, sot ende deri më tani nuk ka një postim nga ajo.

- Advertisement -

Nagavci me 3 janar kishte deklaruar se nuk është në kompetencat e saj të përcaktojë këtë koeficient, teksa sipas saj sfidë mbetet ngritja e cilësisë së arsimit në vend.

“Vlera e koeficientit do të përcaktohet shumë shpejt në Qeveri. Nuk është në kompetencat e mia të plota të flasë për këtë, por besoj se koeficienti do të reflektojë edhe rritjen ekonomike. Sektori i arsimit është përfitues i të gjitha ndryshimeve dhe koeficienteve që janë planifikuar në Ligjin e Pagave. Por sfida mbetet ngritja e cilësisë në arsim e jo vetëm koeficientët”, ka deklaruar Nagavci në RTK.

Kurse Rrahman Jasharaj nga SBASHK ka deklaruar se për ta është e papranueshme koeficienti nën 120 euro.

Mbetet të shihet nesër nëse Qeveria do të publikojë vlerën e koeficientit.

Rrahman Jasharaj: Misteri i pagave, e papranueshme koeficienti nën 120 euro

(Albanian Education)