Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka depozituar një amendament për projektbuxhetin e vitit 2026, i cili parashikon vendosjen e pagës së 13-të për të gjithë mësuesit e arsimit parauniversitar.
Sipas amendamentit, për këtë qëllim do të krijohet një fond prej 2.54 miliard lekësh, ndërsa Këshilli i Ministrave duhet të miratojë deri në qershor 2026 një vendim për mënyrën e kompensimit financiar të stafit arsimor.
Zhupa shprehet se kjo nismë synon rritjen e motivimit profesional të mësuesve, përmirësimin e kushteve ekonomike dhe afrimin e Shqipërisë me praktikat evropiane, ku shpërblime të tilla vjetore janë të zakonshme për stafin arsimor.
Deputetja thekson se paga e 13-të do të ndihmojë në reduktimin e largimeve nga profesioni dhe do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e arsimit parauniversitar.