Ministri Hekuran Murati pas mbledhjes së Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere la të kuptohet se nuk do të ketë paga për mësimdhënësit grevistë.
“Do ta zbatojmë ligjin sa i përket pagave për grevistët”, tha shkurt Murati për KosovaPress.
Por, nga SBAShK-u thonë se çfarë do të ndodhë tutje nga ta, edhe pas kësaj deklarate të Ministrit Murati, atëherë do ta vendosin sonte, në takimin e radhës që kanë.
Në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net, anëtari i Kryesisë së SBAShK-ut, Bardh Bardhi tha se sonte do të vendoset se çfarë do të ndodhë tutje.
“Nëse Ministri ka thënë kështu, atëherë si çdo natë edhe sonte e kemi takimin online të SBAShK-ut dhe do dalim me një vendim se çka tutje”, tha shkurt anëtari i Kryesisë së SBAShK-ut.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i kishte propozuar Ministrisë së Financave që në rast se punëtorët e arsimit do të respektojnë vendimin e ri për kalendarin e vitit shkollor 2022-2023, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e pagesës në avans.
Por, menjëherë një gjë e tillë u kundërshtuar nga SBAShK-u të cilët thanë se orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen pasi një vendim i tillë është kundër kontratës kolektive.