Ndërsa viti po shkon drejt fundit dhe disa kategori profesionesh po shpërblehen për kontributin e tyre, mësuesit vazhdojnë të mbeten pa bonusin e fundvitit, një shpërblim që u është mohuar prej vitesh.
Në një intervistë për mediat, Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Nevruz Kaptelli, i bën thirrje qeverisë të rikthejë këtë shpërblim simbolik, duke e cilësuar si një gjest respekti ndaj mësuesve dhe një kosto minimale për buxhetin e shtetit.
Sipas tij, mësuesit meritojnë të vlerësohen për punën e vështirë dhe përgjegjësinë që mbajnë çdo ditë në arsimimin e brezave.
“Jemi në fund të vitit, qeveria duhet t’i japë shpërblim që ua ka mohuar për shumë vite mësuesve. Është shpërblim simbolik dhe nuk është ndonjë problem i madh për të shpërblyer mësuesit për punën e vështirë që bëjnë,” tha ai.
Sipas tij, mungesa e shpërblimit së bashku me pagat e ulëta, po demotivon mësuesit dhe po ndikon negativisht në cilësinë e arsimit.
Ai shton se gjithnjë e më pak maturantë po zgjedhin degët e mësuesisë, ndërsa niveli i studentëve që futen në këtë profesion është në rënie.
Kjo situatë, sipas tij, po i shtyn prindërit që kanë mundësi të zgjedhin shkolla private ose të dërgojnë fëmijët për studime jashtë vendit.
Qeveria duhet të ndërhyjë me politika konkrete për ta bërë sërish profesionin e mësuesit tërheqës dhe të vlerësuar në shoqëri.