Qytetarët e Kosovës nga sot (1 janari) mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.
Pasi bllokada u hoq, paralajmërimet janë se shumë qytetarë mund të largohen nga vendi.
Një prej kategorive që është paralajmëruar se mund të largohen janë edhe mësimdhënësit.
Kjo pasi që shumica prej tyre janë të pakënaqur me pagat që marrin në Kosovë.
Megjithatë mbetet të shihet nëse do të ketë apo jo largim të mësimdhënësve nga vendet e tyre të punës, për të provuar ‘fatin’ në shtete të ndryshme, edhe pse duhet thënë se heqja e vizave nuk mundëson punësim në vendet e BE-së.
Rregullat e udhëtimit
Por, ata që nuk i përfillin rregullat e udhëtimit do të përballen me pasoja.
Faqja Integrimi Evropian i Kosovës ka publikuar pasojat që i presin qytetarët në rast të shkeljeve të këtyre rregullave të udhëtimit
“Nëse ju qëndroni në zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë qëndrimi afatgjatë) atëherë ju jeni i/e pranishme në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në një ndalim të udhëtimit në zonën Shengen”, thuhet në njoftimin e kësaj faqeje.