Ata që kanë qenë në shkollë gjatë periudhës së pasluftës, qysh nga viti 1999, nuk kanë si t’i harrojnë dhuratat që vinin nga të huajt për festat e fundvitit në Kosovë.
Zakonisht, dhuratat vinin nga bashkëmoshatarë të huaj, kryesisht nga Amerika, që linin edhe ndonjë fotografi e mesazh në dhuratat e tyre për bashkëmoshatarët kosovarë.
Megjithatë, një nga rastet kur ky humanitarizëm u vërejt më së shumti, ishte ai i dhjetorit të vitit 1999.
Në prill të atij viti, në një shkollë të mesme në Kolorado të SHBA-ve, kishte ndodhur një masakër, ku 2 nxënës të shkollës kishin vrarë 12 nxënës tjerë dhe një mësues, para se të vrisnin dhe veten.
E pikërisht, 3 nxënës të mbijetuar nga kjo shkollë, kishin vendosur që të vinin në Kosovë, konkretisht në fshatin Meje dhe të ndihmonin fëmijët me dhurata.
“Është shumë më ndryshe se në shtëpi. Kur e kuptova gjendjen këtu, më bëri të kuptoj se jam e bekuar për jetën që kam. Jam shumë e lumtur që po jap gjërat e mia”, kishte deklaruar një nga nxënëset.