Vetëm pesë asistentë për 60 nxënës me nevoja të veçanta në shkollën “Ismail Qemali” në kryeqytet

- Advertisement -

60 nxënës me nevoja të veçanta mësojnë në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë. Dhe për ta janë të angazhuar vetëm pesë asistentë.

- paragrafi 1 -

Mimoza Krasniqi, drejtoreshë e shkollës “Ismail Qemali”, ka treguar se për dy vjet i kanë pasur katër asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta, por këtë vit i ka kërkuar Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë edhe katër asistentë të tjerë, prej të cilëve një u është bashkuar.

- Advertisement -

“Nga dy fëmijë i ka secila asistente. E di, prapë që nuk i mbulon [të gjithë fëmijët], jemi duke pritur me na i sjellë. Katër i kam lypë. Më 15 [shtator] ma kanë pru një, ia kam caktu menjëherë dy fëmijë, edhe një [asistent] po pritet” – ka thënë Krasniqi më 17.09.2025.

Krasniqi ka treguar se në disa klasa ka deri në 40 nxënës, në të cilat janë të përfshirë edhe nxënësit me nevoja të veçanta.

Mimoza Zylfiu, nënë e një nxënësi me nevoja të veçanta në këtë shkollë, ka raportuar në KALLXO.com se më 01.09.2025 është lajmëruar që asistentja këtë vit do të qëndrojë vetëm tri orët e para të mësimit me fëmijën e saj, pasi është e angazhuar edhe me një nxënës tjetër me nevoja të veçanta në këtë shkollë.

- Advertisement -

Krasniqi ka thënë se asistentja në këtë rast është e angazhuar dy orët e tjera te një nxënës me nevoja të veçanta. Kurse, në klasën e fëmijës së Zylfiut mësojnë gjithsej 30 nxënës.

“Na si shkollë kur ka kërku prindi ia kena mundësu gati dy vjet pesë orë [ta ketë asistenten]… Këtë vit, ia kena mundësu [nxënësit] tri orët e para asistenten, vetëm një orë me mësuesen, se shumicën e kohëve i kanë katër orë, vetëm një ditë në javë i kanë pesë”  – ka deklaruar Krasniqi për rastin e fëmijës së Zylfiut.

Samir Shahini, drejtori i Arsimit në Prishtinë, kur është kontaktuar nga KALLXO.com ka qenë në dijeni për rastin e fëmijës së Zylfiut dhe ka thënë se “Ma shumë se aq asistencë nuk mundemi m’i ofru se janë edhe 140 fëmijë tjerë që i kemi jashtë asistencës”.

Drejtori Shahini ka treguar se në Komunën e Prishtinës i kanë 71 asistentë për nxënësit me nevoja të veçanta, 62 me kontratë të rregullt, ndërsa 9 me angazhim.

Sipas nenit 7, pika 1, në udhëzimin administrativ nr. 19/2023 për rolin, detyrat dhe përgjegjësitë e asistentit për nxënës me nevoja të veçanta arsimore lejohet që një asistent të mbështesë 1–2 fëmijë, varësisht nga nevojat individuale e tyre.

“Një numër i madh është vështirë me i identifiku se janë ose të paidentifikuar nevojat, nuk janë të deklaruar prej prindërve, fshehen, shpeshherë edhe i marrin asistentët, i paguajnë prindërit vetë. Ka lloj-lloj rasti” – ka thënë Shahini përmes telefonit më 17.09.2025.

“Për shkak se i kemi veç 71 [asistentë], nevojat i kemi trefish më të mëdha, mundohemi që një asistent minimalisht me u shërby dy fëmijëve. Edhe për atë ndodh kjo, që i shërben disa orë, edhe pastaj tjetër i shërben fëmijëve të tjerë se s’kemi qysh ndryshe” – ka shtuar Shahini.

Në anën tjetër, Zylfiu ka deklaruar se në klasën e parë e ka paguar një asistente për fëmijën e saj, e cila e ka përcjellë në shkollën “Ismail Qemali”, kurse në klasën e dytë i është mundësuar asistentja nga shkolla.

Ajo ka thënë se është mbajtëse e familjes dhe është duke punuar. Ndërsa, fëmija i saj është vlerësuar më parë nga ekipi vlerësues pedagogjik i Komunës së Prishtinës, të cilët i kanë rekomanduar përmes një raporti që ta ndjekë shkollimin në Qendrën Burimore “Përparimi”.

Sipas Zylfiut, ajo e kishte dërguar për katër muaj në Qendrën Burimore “Përparimi” edhe pse kishte nisur klasën e parë në shkollën “Ismail Qemali”, por prapë e kishte kthyer në shkollë.

“Raporti nuk obligon po rekomandon me dërgu në shkollën “Përparimi”. Unë si prind e vlerësoj ku është ma mirë” – ka thënë Zylfiu për KALLXO.com.

Në shkollën “Ismail Qemali” gjithsej janë 2,900 nxënës në vitin shkollor 2025/2026.