Vetëm dy mësimdhënës do t’i nënshtrohen procesit për licencim e gradim.
Që nga muaji korrik, kur është hapur aplikimi për pajisje me licencë, dy mësimdhënës nga disa sa kanë aplikuar, i kanë plotësuar kushtet për ta nisur procesin e avancimit në karrierë.
“Deri më tani kanë aplikuar vetëm dy mësimdhënës për ripërtëritje të licencës së karrierës, të cilët i kanë plotësuar kushtet. Kemi edhe shumë raste, ku kanë aplikuar për ripërtëritje të licencës së karrierës, por janë refuzuar, sepse nuk i plotësojnë kushtet”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Arsimit.
Mësimdhënësit, pasi të ripërtërijnë licencën e karrierës dhe të kenë përfunduar 200 orë të zhvillimit profesional, mund t’i nënshtrohen provimit për pagë më të lartë.
Por procesi i testimit ende nuk është gati, ani se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, pati thënë se gjatë muajve të verës, mësimdhënësit e gjuhës shqipe dhe të matematikës mund të aplikojnë për avancim.
Ministria në tetor ka hapur tender në vlerë prej 30 mijë eurosh për angazhimin e ekspertëve për përgatitje të pyetjeve të provimit për një periudhë 10-ditore.
Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit kanë kritikuar Ministrinë për zvarritje të procesit.
“Zonja Nagavci e ka përmendur qershorin e këtij viti, gjegjësisht përfundimin e vitit shkollor se do të fillojë procedura për gradim, që ishte pritur me entuziazëm nga mësimdhënësit, mirëpo në qershor nuk ndodhi asgjë, pastaj mësimdhënësit filluan ta zbehin atë entuziazëm, duke menduar se është thënë sa për t’u thënë dhe nuk do të bëhet kurrë, e pastaj filloi viti shkollor, e mësimdhënësit ishin më të preokupuar për tekstet shkollore”, ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Arsimit (SBASHK).
E Hana Zylfiu, menaxhere e programit në Qendrën për Arsim të Kosovës, u shpreh se mungesa e aplikimeve është rezultat i mosinformimit të mësimdhënësve për dobitë e licencimit dhe gradimit.
“Ndoshta edhe presioni, ndoshta edhe kritikat që kanë ardhur në përgjithësi për sistemin arsimor, ndoshta edhe rezultatet e PISA-s, me siguri që ndikojnë në demotivim të mësimdhënësve, por realisht unë mendoj që mungon informata e saktë. Nëse mësimdhënësit informohen qartë se çfarë pritet dhe që mësimdhënësi do të gradohet dhe do të përkrahet në shumë aspekte ai i cili i kalon fazat, e që kjo do të ndikohet edhe në rritje të pagës së tij. Atëherë me siguri ata do të jenë më të motivuar për të aplikuar”, ka thënë Zylfiu.
Një proces i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve ishte zhvilluar para disa vjetësh, por ishte pezulluar në vitin 2020, si pasojë e pandemisë. Në atë proces, janë vlerësuar 755 mësimdhënës nga 22 mijë sa janë të angazhuar në institucionet arsimore. /Marrë në KOHA.net