“Vështirë i aplikueshëm, do të sjellë ngarkesa e ndërlikime” – Drejtori i Arsimit në Ferizaj komenton opsionin e MASHT-it për librat

- Advertisement -

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani ka komentuar propozimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që librat për nxënësit nga ky vit të blihet përmes prindërve.

- paragrafi 1 -

Llabjani në prononcim për Insajderin, konfirmoi se për këtë propozim të MASHT si DKA nuk kanë qenë fare në dijeni, për me tepër ai e cilësoi të vonuar këtë idenë të shpërndarjes së teksteve shkollore.

- Advertisement -

Madje shtoi se ata veçse kishin filluar përgatitjet për shpërndarjen e librave siç rëndom ka ndodhur.

“Ka qenë një informacion i papritur dhe i pa konsultuar me DKA, që konsiderojmë se nuk ishte i menduar mirë. DKA në Ferizaj nuk ka qenë e informuar për një opsion të tillë për shpërndarjen e librave, në të kundërt janë bere të gjitha përgatitjet të cilat parashihen me ligj për formimin e komisioneve të ndryshme për shpërndarjen e librave siç është edhe e paraparë me Udhëzimin Administrativ”, tha drejtori për Insajderin.

Ai shtoi se ky propozim është vështirë i realizueshëm e që do të sjell ngarkesa e ndërlikime.

- Advertisement -

“Është ide e vonuar, jo vetëm në komunikim, por edhe në realizim, pasi që ka mbetur shumë pak kohë deri në fillimin e vitit të ri shkollor dhe mungesa e teksteve do të sjellë shumë probleme, ngarkesa, e ndërlikime të ndryshme në fillimin e mbarë dhe me kohë të procesit mësimor”.

Qeveria Kurti streson prindërit e nxënësit, Shqipëria nis vitin shkollor me libra

I pyetur se si do të veprojnë nëse nuk dakordohen me propozimin e Ministrisë, Llabjani tha “Jemi në komunikim me DKA-të e qyteteve të Kosovës, ky opsion i propozuar nga MASHTI siç u tha edhe më lartë është i pamenduar mirë dhe vështirë i aplikueshëm në këtë kohë të shkurtër, mirëpo gjatë ditëve në vijim duhet te mendohet edhe ndonjë opsion, varësisht nga mundësia që na lejon hapësirë ministria”.

Ndërkaq, Ministrja Nagavci, në konferencën e mbajtur të hënën në pyetjen e Insajderit se a janë në kontakt, më saktë a kanë bashkëpunim edhe me Drejtoritë Komunale të Arsimit u shpreh se nëse jo ajo personalisht, vartësit e janë në kontakt “të vazhdueshëm” me drejtorët e Arsimit.

Por këtë deklaratë po e mohon, drejtori i Arsimit në Ferizaj, ai thekson se nuk kanë pasur ndonjë kontakt e aq më pak takim me ministren.