Kati përdhesë i aneksit 3 të Shkollës Fillore “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë është vërshuar nga uji. Kjo ka shkaktuar që nxënësit e dy klasave të Shkollës Fillore “Mihal Grameno” që kanë mësuar në këtë kat të zhvendosen në klasat në një kat më lartë.
Lajmin e ka konfirmuar Sadri Emini, drejtor në ankesin 3 të Shkollës “Mihal Grameno”. Sipas Eminit, nga mëngjesi ekipi emergjent i Komunës janë duke e zbrazur ujin.

“Nuk e dimë as arsyen prej nga po na vjen ata ujë. Jemi duke e zbrazë me dy motora, jemi duke punu. Njëherë pa e zbrazë ujin nuk po e dimë se nga po vjen. Niveli [i ujit] ka ra. Vetëm parashkollorët i kam paralajmëruar mos me ardhë, se nuk kemi pasur mundësi m’iu bo zgjidhje për sot”- ka deklaruar Emini për Kallxo.com.
Ai tha se në mëngjes, rreth orës 07:30, menjëherë i ka lajmëruar prindërit që të mos bëjnë panik, nxënësit janë të sigurt dhe nuk rrezikohet asgjë.
Fatlum Berisha, drejtor i Arsimit në Fushë Kosovë tha se është në dijeni për këtë rast dhe sipas tij, ka ndodhur për shkak të reshjeve të mëdha të shiut.
Berisha e konfirmoi se vetëm ky objekt është prekur nga reshjet e shiut, kurse në shkollat tjera në Fushë Kosovë është duke u zhvilluar mësimi.
“Drejtori është duke u marrë prej mëngjesit, edhe zyrtarët e Shërbimeve Publike kanë filluar menjëherë. Por, derisa të pastrohet situata, së pari me dit se nga ka ardhë dhe tani me këqyr se çfarë dëmi është bërë” – ka thënë Berisha për kallxo.com.
Në anën tjetër, një ditë më parë filluan reshje të mëdha të shiut në Kosovë.
Emini tha se të martën, më 18.11.2025, nuk kanë pasur problem dhe mësimi ishte zhvilluar në të gjitha klasat.