“Në shkollë mësojnë e flasin gjuhën greke. Në rrugë me shokët e shoqet duke u kthyer flasin gjuhën greke. Në shtëpi prindërit nuk i gjejnë. Nuk i gjejnë, sepse punojnë që nga mëngjesi deri në darkë.
Ashtu si unë që, kur kthehesha vonë në darkë, i gjeja në gjumë. Atëherë, për çfarë komunikimi shqip mund të flasim kur unë nuk i shikoja me sy e jo më t’u flisja? Atëherë, si mund të flitnin shqip fëmijët e mi?”
Vera Shkurti është mësuesja nga fshati Vranisht i Vlorës, e cila përmes një dokumentari të realizuar nga Radio Televizioni Shqiptar, rrëfen historinë e saj të pazakontë e frymëzuese, historinë e një emigranteje që kujdeset për rrënjët dhe degët e vendit të saj, diku në botë. Njëzet vite të shkuara Vera do të vendoste të linte vendlindjen për të emigruar në Greqi, me një qëllim ndërmend: të punonin në Greqi për të mbledhur një grusht para për një shtëpi në Shqipëri, ku të rehatoheshin pas kthimit. Si ëndrra e shumë emigrantëve. Mirëpo, që ditët e para të mbërritjes në tokë të huaj, agimet e mbrëmjet do t’i jepnin Verës marramendjen, mundimet dhe mendimet e një shpirti të paqetë.
Vështirësitë e një fillimi të ri, në një tokë të panjohur, me njerëz, zakone e gjuhë që duhet t’u përshtatej pa vonesë, edhe pse vendi i huaj ish pëllëmbë e shqiptarë. Nuk dinte kush ish e ç’donte të ish, e mbi të gjitha nga t’ia fillonte. Trazirat e mendjes e të shpirtit duhen lënë mënjanë, porsi një mobilizim ushtarak në mënyrë që të fillosh t’i bësh ballë realitetit të ri. Gjithë forcat që ndonjëherë njeriu nuk di se i kishte para se t’i nevojiteshin, bënë që Vera t’ia niste jetës së re.
Nuk kish zgjedhje e mundësi tjetër që në rutinën e një emigrant të ri, të fillonte t’i plotësonte vetes dhe familjes nevojat kryesore, ato imediate, që normalisht plotësohen me punë çfarëdo e me orare të tejzgjatura. Kështu Vera fillon e kap ritmin e jetës pak e nga pak. Mësohet me rutinën e re, shumë ndryshe nga ajo e lënë tej kufirit. Vorbulla stërmendimesh për t’i lënë të gjitha e për t’u rikthyer në Shqipëri i cyteshin nga ideja se nuk ish aspak kjo jeta që kish ëndërruar: si për veten e saj, por edhe për të lënë një gjurmë kontributi për vendin e saj, në mos drejtpërdrejt, të paktën për bashkatdhetarët në dhé të huaj.
Kur merr udhën e largët, merr me vete mallin, nostalgjinë e dashurinë për vendin, për njerëzit, për gjithçka e që natyrshëm rritet e rritet teksa qëndron gjatë larg vatrës, larg atdheut. Verës nuk i mjaftonte vetëm përkujdesja për këto ndjenja, të cilat në moshën kur e la ajo vendlindjen, ishin e mbeten fort të lidhura me shpirtin. Ajo e shihte si një plotësim të vetes që këto ndjenja t’i kultivonte jo vetëm te fëmijët e saj, por edhe te gjithë fëmijët e shqiptarëve në ishullin grek ku banonte.
Me guximin që vetëm ata që përpiqen për ëndrrat e tyre kanë, Vera vendosi t’i drejtonte një kërkesë bashkisë, që t’i mësonte gjuhën shqipe një klase në Tinos me fëmijë të emigrantëve shqiptarë. As që e mendonte se një kërkesë e tillë do të pranohej. Por rezultoi e kundërta. Zëvendësi i kryetarit të bashkisë pati mendësinë dhe mirësinë ta mirëkuptonte kërkesën e Verës, se kur jeton në një komunitet që ndodhet jashtë vendit të tij për arsye ekonomike, është krejtësisht e kuptueshme një kërkesë e tillë. Mësimi i gjuhës amtare është sa i dëshirueshëm, aq edhe i detyrueshëm.
Duke qenë të bindur për këtë ide, bashkia vendosi t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së parashtruar. Kësisoj, me ndihmën e çmuar të drejtoreshës së arsimit fillor, si dhe me mbështetjen e madhe të drejtorit të një prej shkollave publike në qytezën e Tinos, u bë e mundur dhënia e një klase, që do t’u shërbente fëmijëve shqiptarë në mësimin e gjuhës amtare nga mësuese Vera
Çelja e një klase në gjuhën shqipe në Tinos, ishte më shumë se një ëndërr për Verën. Krahas mësimit të gjuhës do të mund të realizohej edhe diçka tjetër, diçka që atyre u mungonte: lidhja me rrënjët, me vendin, prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit, pse jo edhe me popullin dhe historinë e vendit të tyre; sepse ashtu dalëngadalë, duke njohur veten në kuptimin e plotë, do të ishin edhe më krenarë për atë që është shqiptar.
Shkolla u hap më 1 prill të vitit 2012, edhe pse Vera do të kish dashur të hapej më 7 mars. Ajo ende vazhdon t’u mësojë shqip fëmijëve shqiptarë në ishullin e Tinos. Rutina e ditës së Verës sigurisht është vite dritë larg nga ajo që nisi kur vuri këmbë për herë të parë në ishull. Mësuese Vera nuk bën gjë tjetër veçse me shpirtin e saj solidar zëvendëson një për një, punën e nismën që duhet ta ndërmerrnin me kohë diplomatët shqiptarë të atashuar në vendin fqinj. Ajo ia doli falë guximit dhe dëshirës së madhe! Faleminderit mësuese!
Nga Marcela Tringaj