Gjimnazi “Vëllezërit Frashëri”, në Deçan ka vazhduar me publikimin e mësimdhënësve.
Venera Mushkollaj është profesoreshë e Psikologjisë, e përkushtuar dhe udhërrëfyese me takt pedagogjik, shkruan AlbanianEducation.net.
Postimi i shkollës:
Prof. Venere Mushkolaj – Mësuese e përkushtuar dhe udhërrëfyese me takt pedagogjik
Prof. Venere Mushkolaj, e lindur më 4 gusht 1975 në fshatin Tomoc të Istogut, është një prej figurave më të respektuara në fushën e arsimit të mesëm në komunën e Deçanit. Ajo dallon për qetësinë, përkushtimin dhe taktikat e saj pedagogjike, që i bëjnë nxënësit ta përjetojnë mësimnxënien si një proces të lehtë, të kuptueshëm dhe të afërt me jetën e tyre.
Shkollimin fillor e kreu në shkollën “Martin Camaj” në Gurrakoc, ndërsa arsimin e mesëm në shkollën “Haxhi Zeka” në Istog. Studimet universitare i përfundoi në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik – drejtimi Psikologji, në vitin 2001. Më pas, vazhdoi edhe studimet master në Kolegjin “Fama” në Prishtinë, në të njëjtën fushë.
Karrierën e saj arsimore e nisi në vitin 2002 në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku dha mësim si profesoreshë e psikologjisë. Nga viti 2005 deri në vitin 2010, ajo punoi në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Irzniq, për të vazhduar më pas nga viti 2010 sërish në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, ku vazhdon të japë kontributin e saj si profesoreshë e psikologjisë.
Me përvojë të pasur pedagogjike dhe një qasje të ngrohtë ndaj nxënësve, Prof. Mushkolaj është shembull i një edukatoreje që, me durim dhe dashuri për profesionin, e bën mësimin një përvojë të paharrueshme për çdo nxënës që ka fatin të mësojë prej saj.