Fëmijët e vendit tonë nga viti shkollor 2023-2024, mësimin parashkollor do ta kenë obligativ.
Ky është një nga vendimet që është marr në mbledhjen e Qeverisë, me rastin e miratimit të Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme.
Por nga njohësit e arsimit po vlerësohet si vendim i vonshëm, pasi çdo Qeveri që ka ardhur në pushtet kanë pasur prioritet arsimi.
Kryesindikalisti i SBASHK-ut: Qeveria thoshte se e ka prioritet arsimin, ta mbajë premtimin
E, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj uron që Qeveria në pushtet ta mbanë kësaj radhe premtimin për fëmijët e mësimit parashkollor.
“Uroj që të jetë e vërtetë dhe Qeveria ta mbajë premtimin për ta bërë obligativ edukimin parafillor. Po është dashur më herët të merret ky vendim sepse është folur shumë dhe çdo Qeveri që ka ardhur e ka pasur prioritet arsimin, por as kjo Qeveri nuk ka bërë këtë vit shumë dhe uroj që fjalët t’i mbajnë”, u shpreh Jasharaj për Front Online.
Sipas Jasharajt, mësimi obligativ parashkollor do t’i përgatiste më shumë fëmijët për klasën e parë.
Ai thotë se mungesa e çerdheve në vend nuk ju ofron nxënësve shumë përgatitje mësimore.
“Duhet të kemi mundësi më të mëdha dhe të kemi më shumë çerdhe në Kosovë se ato mungojnë dhe nuk mundin fëmijët të mësojnë, dhe një pjesë fare e vogël e fëmijëve mund të jenë në këtë sistem të edukimit. Uroj që ta mbajë fjalën dhe të kemi sa më shumë çerdhe dhe paralele edhe në arsimin parafillor, sepse në këtë mënyrë fëmijët përgatitën më mirë për hapat e parë në klasën e parë dhe nëse ndodh kjo fëmijët do të jenë shumë më të përgatitur, për të marrë njohuri edhe për klasën e parë dhe betejën për dije”, potencoi Jasharaj.
Njohësi i arsimit: Dallimi i fëmijëve që vijojnë parafillorin me ata që hyjnë direkt në klasë të parë është shumë i madh
I të njëjtit mendim se ka mungesë të investimeve në arsim është edhe njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.
Qehaja në një prononcim për Front Online ka thënë se investimet infrastrukturore në arsim dhe vendimi i parashkollorëve të bëhet obligativ, do të ndikonte tek nxënësit.
Ai thotë se dallimi i fëmijëve që hynë në klasën e parë pa shkuar në parafillor me ata që kanë shkuar, është i madh.
“Obligimi për parafillorin nga ligji për edukimin në fëmijërinë e hershme është reformë që i jep përgjigje përfshirjes së ulët në parashkollor. Dallimi në klasë të parë i fëmijëve që vinë nga parafillori dhe atyre që për herë të parë futen në institucione arsimore është i madh, dhe është dallim që dëmton nxënësit pikë së pari. Tash, ky ligj duhet të jetësohet operacionalisht, kjo, nënkupton investime infrastrukture për institucionet arsimore, dhe përkrahje me kapacitete njerëzore dhe zhvillim profesionalë në mënyrë që ndikim i vërtetë i këtij ligji të prek nxënësit”, theksoi Qehaja.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci deklaroi se me miratimin e këtij projektligji, shënohet edhe një hap drejtë zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ e arsimor, social e ekonomik.
Mësimi obligativ në Kosovë është nga klasa e parë deri në të nëntën.