Gjin dhe Lum Rrahmani, dy vëllezër nga Kosova, kanë shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u kthyer fitimtarë nga gara prestigjioze e Inteligjencës Artificiale e mbajtur në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan AlbanianEducation.net.
Në garën e Inteligjencës Artificiale, vëllezërit Rrahmani u vlerësuan me medalje të artë dhe vendin e parë, duke u renditur në krye të konkurrencës ndërkombëtare.
Po ashtu, në fushën e Biologjisë, ata u shpërblyen me çmimin “Best of the Best” dhe medalje të artë, një vlerësim që u jepet vetëm pjesëmarrësve me rezultate elitare.

Suksesi i tyre u kompletua edhe në Matematikë, ku fituan medalje të bronztë dhe vendin e tretë, duke dëshmuar shkathtësi të gjithanshme akademike.
Arritjet e Gjin dhe Lum Rrahmanit janë një dëshmi e qartë e potencialit të të rinjve kosovarë dhe një burim frymëzimi për brezat e ardhshëm.

Me sukseset e tyre, ata jo vetëm që ngrenë lart emrin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, por edhe tregojnë se përkushtimi dhe dija nuk njohin kufij. /AlbanianEducation.net/.