Dy nxënësit nga Kosova, vëlla e motër, Leart Gashi dhe Anea Gashi, kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare të matematikës, duke i sjellë vendit dy medalje ndërkombëtare në finalen e TIMO (Turkic international Matematik olimpiad), e cila u zhvillua në Baku, Azerbajxhan, shkruan AlbanianEducation.net.
Leart dhe Anea siguruan pjesëmarrjen në finalen ndërkombëtare pasi u shpallën fitues në fazën finale të Olimpiadës TIMO në Kosovë, duke fituar të drejtën për të përfaqësuar vendin në garën prestigjioze.
Në konkurrencën ndërkombëtare, të mbajtur në Baku, të dy nxënësit u paraqitën me rezultate të shkëlqyera, duke fituar medalje dhe duke dëshmuar nivelin e lartë të përgatitjes së nxënësve kosovarë në matematikë.
Anea Gashi, nxënëse e klasës së katërt, dhe Leart Gashi, nxënës i klasës së tetë, u renditën mes pjesëmarrësve më të suksesshëm të kësaj olimpiade, duke e përfaqësuar me dinjitet Kosovën.
Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për Leartin dhe Anean, por edhe për arsimin kosovar, duke dëshmuar se talenti, përkushtimi dhe puna e vazhdueshme mund të sjellin rezultate të nivelit ndërkombëtar.