Ka vdekur profesori Shyqri Nimani.
Njoftimi:
Telegram ngushëllimi
E nderuara familje Nimani,
Me dhimbje të madhe morëm lajmin për ndarjen nga jeta të piktorit, dizenjuesit grafik dhe pedagogut, Prof. Shyqri Nimani, i cili bëri kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.
Ndarja fizike e më të dashurit tuaj, Prof. Shyqri Nimani, i njohur në të gjitha hapësirat shqiptare përmes artit dhe punës së dëshmuar si pedagog, është një humbje e madhe për vendin e në veçanti për komunitetin e artistëve, të cilit i përkiste.
Me përkushtim e vullnet të madh profesor Nimani ja kushtoi jetën artit, kulturës, shkencës dhe arsimit, për t’i lënë historisë së Kosovës vepra të mëdha.
Ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë duke bartur njohuritë dhe përvojën e vet tek studentët.
Në emër të Ministrisë së Arsimit, ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e bashkëpunëtorëve!
I qoftë i lehtë dheu profesor Shyqri Nimanit!