Vazhdojnë provimet pranuese nëpër fakultete, Universiteti i Prishtinës: Jemi zgjedhja e parë e maturantëve

- Advertisement -

Në disa njësi akademike të Universitetit të Prishtinës, edhe sot po zhvillohen provimet pranuese për gjeneratën e re të studentëve, shkruan AlbanianEducation.net.

- paragrafi 1 -

UP thotë se edhe këtë vit, ashtu si çdo herë më parë, mbetet zgjedhja e parë për shumicën e maturantëve nga Kosova, si dhe për shumë të rinj shqiptarë nga vendet fqinje.

- Advertisement -

Ashtu si një ditë më parë, edhe sot prorektorët vizituan studentët e ardhshëm që po i nënshtrohen testeve pranuese, me qëllim t’i inkurajojnë në këtë hap të rëndësishëm drejt të ardhmes së tyre akademike.

- Advertisement -

Prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, prof. Majlinda Gjelaj, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik dhe privat, prof. Albana Berisha-Qehaja dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha, vizitat nëpër ambientet ku po mbahen testimet i nisën në Fakultetin e Filologjisë për të vazhduar pastaj edhe në Fakultetin e Edukimit dhe në Fakultetin e Ekonomisë.

Tri prorektoret u uruan suksese të gjithë kandidatëve për pranim në Universitetin e Prishtinës, duke i inkurajuar që të përqendrohen pa stres, pasi procesi do të jetë i drejtë, transparent dhe do të përzgjidhen më të merituarit.

Provimet pranuese për studimet bachelor do të vazhdojnë edhe të shtunën, sipas kalendarit të përcaktuar akademik.

Këtë vit, Universiteti i Prishtinës ka planifikuar të pranojë 5,723 studentë të rregullt në programet e nivelit bachelor.