Profesoresha kosovare në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Valeza Ukaj Elshani, ka përfunduar me sukses studimet e doktoratës në Clemson University në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku javën e kaluar u mbajt ceremonia zyrtare e diplomimit doktoral.
Tema e doktoratës së saj trajton implikimet ligjore të dhunës seksuale të ushtruar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, një çështje e ndjeshme dhe me rëndësi të veçantë për drejtësinë tranzicionale dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare.
Me kërkesë të komitetit doktoral, hulumtimi është zgjeruar për të përfshirë edhe rastet e ngjashme në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci, duke ofruar një analizë krahasuese të krimeve të luftës në rajon.


Studimi ka impresionuar komitetin doktoral jo vetëm për qasjen e thelluar akademike dhe rigorozitetin shkencor, por edhe për rëndësinë praktike që ka në dokumentimin, analizën ligjore dhe adresimin e krimeve të dhunës seksuale në konfliktet e armatosura, veçanërisht në kontekstin e Kosovës.
Dokumentimi sistematik i këtyre rasteve dhe analiza e pasojave të tyre ligjore përbëjnë një kontribut thelbësor për Kosovën e pasluftës, duke ndihmuar në ndërtimin e mekanizmave të drejtësisë, kujtesës kolektive dhe përgjegjësisë institucionale.
Kjo punë shkencore konsiderohet një bazë e rëndësishme referimi për studiuesit e rinj, juristët, historianët, si dhe për të gjithë ata që në të ardhmen do t’i kthehen kësaj tematike në kuadër të studimeve akademike dhe proceseve ligjore ndërkombëtare. /Albinfo.ch.
