Universiteti i Prishtinës nënshkroi sot një memorandum mirëkuptimi me kompaninë Limak Kosovo International Airport për përfshirjen sa më të madhe të studenteve në teknologji, me anë të programit “Global Engineering Girls Kosovo” (GEG).
Sipas memorandumit, Limak Kosovo International Airport (LKIA) do të mbështesë studentet e përzgjedhura nga Universiteti i Prishtinës në programin GEG Kosovo, në kuadër të përpjekjeve dhe përkushtimit për fuqizimin e vajzave të reja dhe grave dhe avancimin arsimor.
Mbështetja ndaj vajzave do të bëhet me anë të bursave, trajnimeve, vizitave studimore, praktikës dhe mentorimit, gjatë aktiviteteve në programin “Global Engineering Girls” (GEG).

Studenteve të përzgjedhura, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës do t’u ofrohet edhe pjesëmarrje në seminare dhe konferenca të ndryshme në vend dhe jashtë tij.
Programi ofron edhe mundësi punësimi në fushat e inxhinierisë dhe nëpërmjet tij deri tash janë punësuar pesë vajza si inxhiniere.
Me memorandum është paraparë që Universiteti i Prishtinës të informojë studentet e tij për këtë mundësi, të mbështesë procesin e përzgjedhjes dhe të lehtësojë komunikimin mes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (LKIA) dhe të interesuarave për të qenë pjesë e programit GEG Kosovo.
Drejtues të UP-së dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në takimin që i parapriu nënshkrimit të memorandumit, u zotuan për fuqizim të bashkëpunimit në të ardhmen për të mirën e dy institucioneve dhe shoqërisë kosovare.
Memorandumi u nënshkrua nga rektori, prof. Arben Hajrullahu, dhe drejtori ekzekutiv i Limak Kosovo International Airport, Gökhan Açikgöz.
Në delegacionin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ishin edhe koordinatorja e “Global Engineering Girls”, Valentina Gara, dhe drejtori i burimeve njerëzore, Basri Zuka, ndërsa mysafirët përveç nga rektori Hajrullahu u pritën edhe nga prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari.
