E premte, 29 Nëntor, 2024

UP-ja rrit kriteret për profesor asistent, ul për të rregullt

- Advertisement1-

Përmes Statutit të ri, Universiteti i Prishtinës synon ta rrisë produktivitetin shkencor. Në Statutin e ri janë rritur kriteret për marrjen e thirrjes së parë të profesorit, duke shtuar numrin e punimeve shkencore, e për të fituar pozitën e profesorit të rregullt, është ulur kriteri për punime shkencore. E në disa nga universitetet e tjera publike kanë deklaruar se momentalisht nuk është në objektivat e tyre ndryshimi i statutit të tyre.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” synon që t’i rrisë kriteret për avancimin e personelit akademik përmes Statutit të ri.

- Advertisement -

Drafti i Statutit i cili gjatë javës së shkuar u dërgua për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës, kërkon që stafi akademik të jetë më i angazhuar në punën kërkimore për të arritur avancimin.

Për marrjen e thirrjes së parë të profesorit, janë rritur kriteret ku aplikuesi parashihet që të ketë së paku dy punime shkencore, ku në njërën duhet të jetë autor i parë.

“Rizgjedhja në titull të njëjtë mund të bëhet vetëm nëse kandidati/ja ka së paku një punim shtesë si autor i parë ose korrespondent të publikuar pas emërimit në titullin aktual dhe ka vlerësim pozitiv sipas sistemit të vlerësimit të perfomancës, duke përfshirë edhe vlerësimin e studentëve”, shkruan ndër të tjera në nenin 155, ku përcaktohen kriteret për këtë pozitë.

Për pozitën e profesorit të asocuar, numri i kërkuar i punimeve shkencore mbetët i njëjtë.

“Të ketë të paktën tri (3) punime të publikuara në revista ndërkombëtare shkencore ose artistike të publikuara pas emërimit në titullin aktual, si autor i parë ose korrespondent, nga të cilat së paku një (1) si autor i parë”, thuhet në nenin 156.

Në statutin e ri është theksuar se rizgjedhja në titull të njëjtë mund të bëhet vetëm nëse kandidati ka publikuar së paku një punim shtesë si autor i parë ose korrespondent, të publikuar pas emërimit në titullin aktual.

- Advertisement -rrrrrrr

E për të fituar pozitën e profesorit të rregullt, është ulur kriteri për punime shkencore. Nga pesë punime shkencore sa është kriteri aktual, në Statutin e ri është paraparë që aplikuesi të posedojë minimumi katër punime. Por për të fituar thirrjen e fundit të profesorit, është obligative që të paktën në dy nga punimet kandidati të jetë autor i parë e jo vetëm korrespodent. E, kriter shtesë për të fituar këtë pozitë është vendosur që kandidati të ketë të paktën një libër të publikuar në shtëpi botuese ndërkombëtare.

“Të ketë të paktën një kapitull të zgjedhur të botuar në një tekst të publikuar nga shtëpi botuese kredibile ndërkombëtare pas thirrjes së fundit ose një libër për përdorim të studentëve ose monografi, që nuk mund të jetë punimi i doktoratës ose patentë, pas thirrjes së fundit”, thuhet në nenin 157.

Me këtë, në UP kanë thënë se synojnë të rrisin produktivitetin shkencor dhe të përmirësojnë gjendjen e rangimit të universitetit në arenën ndërkombëtare.

Ndryshime në Statut ka filluar edhe Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”. Sipas ushtrueses së detyrës të Sekretares së Përgjithshme, Tirana Baftiu Hasani, drafti plotësues i Statutit është dërguar në Ministri. Ajo ka thënë se nuk ka ndryshime rrënjësore në kritere për avancim.

“Sa u përket kritereve për pozitën e profesorit të rregullt, asocuar dhe profesorit asistent në draft Statutin e dërguar për miratim në MASHTI/Kuvend, nuk ka ndonjë ndryshim rrënjësor sa u përket kritereve”, ka thënë ajo.

E në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” kanë thënë se nga kjo javë do të fillojnë punën për ndryshim-plotësimin e Statutit. Rektori Mentor Alishani, ka thënë se për kritere do të vendosë grupi punues.

“Ajo çfarë është evidente, mund të theksoj që çështja e avancimit duhet të jetë konform kërkesave të Agjencisë për Akreditim të Kosovës dhe konform trendëve aktuale në botën akademike në regjion, respektivisht në Evropë dhe më gjerë”, ka thënë Alishani.

Përfaqësues të Universitetit të Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit kanë treguar se momentalisht nuk është në objektivat e tyre ndryshimi i Statutit.

Drilon Bunjaku, rektor Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”, ka thënë se organet e këtij institucioni nuk kanë iniciuar ndonjë ndryshim të Statutit, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e nisjes së ndryshimeve.

“Organet përkatëse do të bëjnë krahasimin e Statutit të UFAGJ me draft-Statutin e UP dhe do të shikohen ndryshimet thelbësore me qëllim të unifikimit. Gjithashtu, mund të dalin kërkesa e rekomandime për ndryshime në Statut, të përcjella në Senatin e Universitetit dhe në fund të fillohet procedura e ndryshimit eventual”, ka thënë Bunjaku.

E, sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Abdyl Beqiri, ka thënë se janë në proces të ndryshimit të Rregullores për procedurat dhe kriteret e zgjedhjes, rizgjedhjes dhe avancimit të personelit akademik.

“Po ashtu, kjo rregullore është në proces të plotësim/ndryshimit dhe pritet të përcaktoj edhe kritere të tjera për zgjedhjen dhe avancimin e stafit akademik”, ka thënë ai.

Edhe në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” kanë thënë se janë duke punuar në harmonizimin e rregulloreve me Statutin.

“Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, është duke punuar në harmonizimin e rregulloreve me Satutin e Universitetit”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Statutet e universitetit të Gjakovës, Pejës, Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit janë miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2020.

Aktualisht, kriteret për avancimin e personelit akademik janë të njëjta në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, meqë përpilimi i statuteve është bazuar në atë të UP-së. Këto standarde, vazhdimisht janë vlerësuar të ulëta nga kritikët e arsimit. /KOHA

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Pensionohen profesorët Sadete Hajrizi dhe Bahri Hajredini nga Mitrovica

Janë pensionuar dy profesorët nga Mitrovica, Sadete Hajrizi dhe Bahri Hajredini, shkruan AlbanianEducation.net. Postimi nga...

“Babë, ma kanë vra mësuesin”, rrëfimi prekës nga Llausha

“Babë ma kanë vra mësuesin”, i citon fjalët e djalit të tij, Bejt Geci,...

Senati i UP-së krijon komision për hetimin e ngritjeve akademike dhe rektorëve

Më 27 nëtor 2024, në mbledhjen e nëntë të Senatit të Universitetit të Prishtinës,...

Profesori Shani Paqarizi nga Malisheva me punim fantastik për 28 Nëntorin

Sot festojnë 28 Nëntorin shqiptarët kudo që janë. Për nder të 28 Nëntorit, në të...