E shtunë, 23 Nëntor, 2024

UP-ja pengon avancimin e një gruaje që mori më së shumti pikë nga komisioni vlerësues i FShMN-së

- Advertisement1-

Me 6 janar, Universiteti i Prishtinës do të mbajë mbledhje ku parashihet të vendoset fundi i sagës 7-mujore që është zhvilluar për ta ndalë Tropikë Agajn për t’u bërë asistente në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, FSHMN, fakultet ky i dominuar brej burrave.

Problemi është që edhe pse Tropikë Agaj ka dalë më e poentuara nga komisioni vlerësues i fakultetit të saj, dhe edhe pse Këshilli i Etikës së UP-së me 29 dhjetor ka dalë me një vendim që është në favor të saj, fushata që kanë zhvilluar burrat që synojnë të bëhen asistent por nuk i plotësojnë kushtet më shumë se ajo, kanë ndikuar jo vetëm që ajo të mos e marrë këtë pozitë, por edhe ta humb vendin e punës që e ka pasur jashtë UP-së.

- Advertisement -

E tërë kjo filloi kur në Departamentin e Gjeografisë në FSHMN, në të cilin ligjërojnë 8 burra e një grua, Tropikë Agaj kandidoi për asistente dhe më 27 korrik u vlerësua si kandidatja më e poentuar nga komisioni vlerësues dhe Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së.

Kundërkandidati i saj për këtë pozitë, Arsim Nuli (i ranguar i dyti me poena) dhe një student tjetër i gjeografisë Albert Berila, i cili në momentin kur është hapur konkursi ende s’kishte diplomuar, dolën në media duke u ankuar se Agaj e kishte falsifikuar një punim shkencor dhe ata janë viktima të padrejtësisë së saj.

Berila është kontaktuar nga KALLXO.com dhe i njëjti ende mbetet prapa pretendimeve të tij për falsifikim të punimit nga ana e Agajt.

Duke u bazuar në këtë narrativë, me 19 tetor, Senati i UP-së, i udhëhequr nga rektori Naser Sahiti, ia ktheu Këshillit të Fakultetit lëndën në rishqyrtim. Komisioni Vlerësues i FShMN-së dhe Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së prapë e vlerësuan me më së shumti pikë Agajn në vendimin e dytë të 25 tetorit.

Por, me 22 nëntor Senati i UP-së përsëri nuk e lejoi avancimin e saj. Sahiti insistoi ta refuzojë krejt rastin por senatorët insistuan që, nëse ka dyshime, rasti duhet të shkojë në Këshill të Etikës, e jo të refuzohet. Ashtu ndodhi, lënda u dërgua në Këshill të Etikës.

Objekt i shqyrtimit të Këshillit të Etikës ka qenë pyetja se a është bërë falsifikim dhe shkelje tjetër etike në botimin e punimit shkencor me të cilin po synonte të avancohej Agaj.

Më saktësisht, Valbon Bytyçi, Ibrahim Ramadani dhe Tropikë Agaj ishin autorë të punimit “Sfidat e mbrojtjes së resurseve tokësore: një rast studimi nga pellgu i lumit Sitnica (Kosovë)”, i botuar në Revistën për Inxhiniering Ekologjik. Këtu kontestuese ishte se kush ka qenë autor i parë e kush autor i dytë dhe korrespondent. Revista e kishte konfirmuar që e ka bërë ndryshimin e autorëve me aprovimin dhe kërkesën e autorit të parë, Valbon Bytyçit.

Se a është e drejtë apo jo të bëhet ndryshimi i autorëve ishte çështja që ishte dërguar në Këshillin e Etikës së UP-së, i cili në fund e kishte vlerësuar se nuk është “ofruar më shumë dëshmi për shkeljet e supozuara” dhe si rezultat “pushon procedura e filluar ndaj Ibrahim Ramadanit, Valbon Bytyçit, dhe Arsim Ejupit”, të tre këta anëtarë të komisionit që ka vlerësuar Agajn me më së shumti poena.

- Advertisement -rrrrrrr

Tash që Këshilli i Etikës ka konstatuar që s’ka shkelje, mbetet të shihet se a do ta ndalë rektori dhe Senati i UP-së avancimin e Tropikë Agajt në mbledhjen e radhës me 6 janar.

Njëri prej atyre që e ka dërguar këtë çështje në Këshillin e Etikës, Albert Berila, e ka kontestuar vendimin e këtij këshilli, i cili nuk ka gjetur shkelje në punimin e Tropikë Agajt.

“Në lidhje me vendimin e këshillit sapo e kuptova nga ju, pra nuk jam në dijeni meqë mua nuk më kanë kthyer asnjë përgjigje. Unë jam ai që ka dërguar në Këshill të Etikës dhe mua nuk më ka ardhë një përgjigje zyrtare. Unë, Albert Berila po ua them me 100% që jam i gatshëm para kujtdo dhe në çfarëdo kohe para çdo përfaqësuesi të cilit institucion ta vërtetoj një gjë të tillë. Meqë ju po thoni që paskan vendosur në të mirë të zonjushës Agaj, unë mendoj që Universiteti i Prishtinës përkatësisht Këshilli i Etikës paska bërë gabimin më të madh jetësor”, thuhet në përgjigjen e Berilës për KALLXO.com.

Mirëpo ndërkohë Agaj ka ngritur padi për shpifje kundër Nulit dhe Berilës, të cilët në televizionin T7, sipas saj, kishin nisur një fushatë për t’ia dëmtuar asaj reputacionit vetëm e vetëm se ajo ishte vlerësuar si kandidatja më e përgatitur nga komisioni vlerësues.

Përveç kësaj, Agaj tha për KALLXO.com se këta konkurrentë ishin munduar ta lajthisin publikun se ajo po e keqpërdor pozitën e saj si këshilltare për protokoll e kryekuvendarit Glauk Konjufca për të ndikuar në avancimin e saj. Kjo duke i anashkaluar faktet që ajo kishte notën ma të lartë mesatare, dhe në kohën e aplikimit kishte publikuar punime më shumë se të dy ankuesit kundër saj në revistat e indeksuara nga UP-ja, plus kishte botuar libër në fushën e saj shkencore.

Lajthitja për të cilën po flet Agaj, në fakt, e kishte pasur efektin e vet.  Katër ditë pasi që Nuli dhe Berila i paraqitën ankesat e tyre në T7, ish-shefi i saj Konjufca e “liroi nga puna” që e kishte si këshilltare për protokoll, pozitë të cilën ajo e ushtroi deri me 13 tetor të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, Valbon Bytyçi, profesor asistent i gjeografisë, që ishte anëtar i komisionit vlerësues për këtë pozitë e shpjegon pse Agaj është personi më i kualifikuar për t’u zgjedhur asistente.

“E para, Tropikë Agaj ka diplomuar me notë 9.17 në Bachelor dhe 9.15 në Master ndërsa Arsim Nuli, kandidati i dytë më i kualifikuari pas saj, e ka notën mesatare goxha më të ulët 8.43 në Bachelor dhe 8.93 në Master”, tha Bytyçi.

Agaj në fakt e ka notën mesatare më të lartën prej gjithë kandidatëve të tjerë (të gjithë burra) që kanë aplikuar për këtë post.

Në anën tjetër, rektori i UP-së, Naser Sahiti, vazhdon ta kontestojë vlerësimin e komisionit vlerësues dhe të Fakultetit të FSHMN-së duke ngritur dyshime lidhur me mënyrën e vlerësimit të performancës akademike ku “kandidatët të cilët kanë qenë të angazhuar si bashkëpunëtorë të jashtëm në UP vlerësohen me zero pikë (Arsim Nuli, v.a) ndërsa kandidatja e rekomanduar nga Komisioni Vlerësues (Tropikë Agaj, v.a) edhe pse nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar në UP vlerësohet me 14 pikë”.

Por Valbon Bytyçi, profesori të cilit qe 3 vjet i asiston Arsim Nuli në 6 lëndët e tij, i kishte vendosur Nulit zero pikë pikërisht duke ia vlerësuar punën e dobët që ka treguar si bashkëpunëtor i jashtëm asistent.

“Për dy vite të angazhimit të tij, kandidati asnjëherë nuk ka asistuar në 10 afate të provimeve që kam mbajt unë çdo vit edhe pse këtë obligim e ka të përshkruar me kontratë. Ai s’ka ardhë asnjëherë sa që në një moment më ka thënë që ka filluar të punojë në një kompani që shpërndan ëmbëlsira si shofer dhe për këtë s’ka kohë”, tha Bytyçi.

“Unë i kam dhanë udhëzime rreth ushtrimeve për 6 lëndët e mia në të cilat ai asiston dhe ai nuk ka arritur me dhonë rezultate, pra kam marrë ankesa nga studentët që asistenti nuk po arrin të shpjegojë asgjë praktike nga lëndët e gjeografisë fizike ku unë ligjëroj”, shtoi Bytyçi për KALLXO.com.

Se a ka të drejtë Bytyçi në vlerësimin që Nuli nuk ishte asistent i mirë nuk mund të vërtetohet për shkak se UP nuk aplikon kurrfarë sistemi të vlerësimit të mësimdhënësve nga studentët (siç bëhet në shumë vende të botës), për shkak të atmosferës që mbretëron brenda UP-së se studentët mund të penalizohen në nota nëse vlerësojnë keq mësimdhënësit e vlerësimi anonim nuk është kredibil.

Më tutje, arsyeja pse Bytyçi kishte vendosur ta vlerësojë me zero performancën akademike të Nulit ishte edhe për shkak të faktit që “për dy vitet e angazhimit, kandidati nuk ka botuar asgjë nga punimet shkencore në këtë fushë”.

Nuli kishte përmendur faktin që ai kishte doktoraturë e Agaj s’ka, dhe lidhur me këtë pikë Bytyçi tha “Nuli e ka marrë doktoraturën por s’ka asnjë publikim në revistat e indeksuara nga UP-ja, pra ai i bën 40 vjet në qershor e asnjë publikim s’e ka të botuar në revistat e pranuara nga UP ndërsa Agaj i ka 26 vjet dhe i ka 2 punime shkencore të publikuara në revista të indeksuara nga UP-ja”.

Bytyçi e shtron pyetjen se si mund të doktorojë dikush pa pasur asnjë punim të publikuar në revista të indeksuara të UP-së.

Për të vënë në perspektivë kohore çështjen e publikimeve, Bytyçi thekson që ai vet i ka 37 vjet dhe i ka botuar 5 punime shkencore në revistat e indeksuara nga UP e Nuli është 39-vjeçar por s’e ka asnjë punim të botuar në revista të pranuara nga UP.

Një argument shtesë për përgatitjen akademike të Tropikë Agaj është fakti që Agaj, me 26 vjet ka botuar libër në fushën e vet shkencore, “Veçoritë hidromorfologjike të pellgut ujëmbledhës të lumit të Hogoshtit”, libër që sipas Bytyçit, mund të shfrytëzohet si literaturë për studentët e programit master në UP.

Arsim Nuli nuk pajtohet me këto vlerësime të Bytyçit, ai ka thënë për KALLXO.com se dy herë ka qenë në asistim të provimeve të profesorit të tij dhe herëve të tjera nuk ka ardhë sepse Bytyçi i ka thënë që s’ka nevojë të vijë. Nuli po ashtu e mohon që nuk ka bërë punë praktike me studentë, “në maj të vitit të kaluar i kam dërguar në ekspeditë në Institutin Hidrometerologjik për të cilën kam edhe foto”.

Nuli thekson për KALLXO.com që ai nuk kishte asnjë vërejtje as nga profesorët, as nga Fakulteti, andaj edhe iu kishte vazhduar kontrata në vitin 2020 sepse vlerësimi ka qenë në rregull dhe nuk ka pasur kurrfarë ankese për punën e tij.

Lidhur me publikimet Nuli thotë që nuk ka botuar sepse nuk janë publikimet kusht për t’u pranuar asistent i rregullt. Publikimet që i ka bërë ai janë ato që janë kërkuar nga Universiteti i Tiranës ku kishte doktoruar por jo “të nivelit që i kërkon rregullorja e UP-së”.

Lidhur me ankesat e Albert Berilës kundër Tropikë Agajt, Bytyçi thotë që nuk qëndrojnë pasi Berila nuk kishte qenë as i diplomuar në master në kohën kur ishte shpallur konkursi për asistent të gjeografisë, e magjistratura është kusht për të aplikuar.

Për pretendimet e Bytyçit, Berila e ka pranuar për KALLXO.com se në kohën e shpalljes së konkursit ai nuk ka qenë i diplomuar por ka thënë se atij i ishte vonuar aprovimi i temës së diplomës.

Kur u pyet për faktin që kritikët e kishin portretizuar Tropikë Agajn me tendencë për keqpërdorim të pozitës si këshilltare e protokollit te kryekuvendari Konjufca për t’u avancuar, Bytyçi e dha një argument të ri.

“Kur ishte beteja për demarkacionin me ç’rast u përfshi Departamenti jonë i Gjeografisë, unë kam qenë haptas kundër pozicionit të VV-së, pra nuk po e përkrah Tropikë Agajn në avancim pse është VV por për shkak se është studente e dalluar me notën ma të lartë mesatare dhe kandidati ma i përgatitur për këtë post”, tha për fund Bytyçi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, edhe po të ishin poentimet mes Nulit the Agajt të barabarta, që në këtë rast nuk janë sepse Agaj është poentuar shumë më lart, ishte dashur të vlejë neni 8 i Statutit të UP-së i cili thotë:

“Universiteti siguron dhe mbështetë barazinë gjinore. Në rastet kur kandidatët e gjinisë mashkullore dhe femërore i kanë kualifikimet dhe te arriturat profesionale te barabarta, përparësi do t’i jepet kandidates femër.”

Kjo është çka thuhet në letër, por në praktikë, përveç protestave të organizuara në të kaluarën e afërt që UP është strehë e ngacmuesve seksual, po del që UP është ende institucion patriarkal që e ka të vështirë avancimin e grave përveç nëse ka presion publik, edhe në rastet kur gratë marrin më shumë poena në vlerësim ashtu siç ka ndodhur me Tropikë Agajn.

Në hulumtimin e Jetës në Kosovë në vitin 2017, në një rast precedent Rozafa Koliqin, specializante në farmaci klinike e akuzoi, mes tjerash, edhe Naser Sahitin, rektorin e tanishëm (i cili atëherë ishte pro rektor) që e kishte ndihmuar mosavancimin e saj si ligjëruese në UP.  Vetëm pas shumë betejave ligjore e publike që i zhvilloi jashtë UP-së, dhe tri emisioneve të “Jetës në Kosovë” në këtë temë duke i ekspozuar dallaveret, diskriminimin dhe patriarkalizmin e Rektoratit në UP, Rozafa Koliqi u kthye në pozitën e merituar pas dy vitesh.

Mbetet të shihet se a kanë ndërru kurs UP-ja në këtë aspekt në mbledhjen e radhës të Senatit që planifikohet të mbahet me 6 janar. /kallxo.com/

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...

Kjo është një klasë e improvizuar pas luftës në Gjakovë

Drejotresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, ka publikuar një fotografi të një klase...