Universiteti i Prishtinës ka hapur thirrjen publike për angazhimin e profesorëve dhe asistentëve për vitin akademik 2026/’27, sipas nevojave të njësive akademike.
Kandidatët për mësimdhënës duhet të kenë gradën shkencore master, ndërsa përparësi do të kenë të interesuarit për këto pozita me studime të kryera të doktoratës. Aplikantët gjithashtu kërkohet të kenë një punim shkencor në revista ndërkombëtare. Kandidatët për asistentë duhet të kenë të përfunduara studimet master dhe notë mesatare jo më të vogël se tetë në të dy nivelet e studimit.
Aplikimi për pozitat e hapura të profesorëve dhe asistentëve të angazhuar bëhet në mënyrë elektronike në vegëzën https://stafiakademik.uni-pr.edu.
Të interesuarit duhet të plotësojnë në këtë vegëz kërkesën për aplikim dhe të ngarkojnë CV-në, certifikatën e lindjes, kopjen e diplomës së noterizuar, certifikatën e notave të studimeve master (pozitat për asistentë), dëshmitë për punime shkencore e profesionale dhe dëshminë nga gjykata se nuk janë të dënuar. Konkursi është i hapur nga 1 deri më 10 qershor 2026.
Pozitat për profesorë dhe asistentë të angazhuar janë hapur në Fakultetin Filozofik, Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Arteve, Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe Fakultetin e Edukimit.
Universiteti i Prtishtinës është një punëdhënës i drejtë dhe i përgjegjshëm që garanton përzgjedhje të kandidatëve në të gjitha fazat e konkursit, në bazë të transparencës, meritokracisë dhe legjislacionit në fuqi.
Konkursin e plotë me të gjitha detajet e konkurrimit dhe dokumentet e nevojshme, mund ta gjeni në këtë vegëz: https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,39,3904