Sot, në shumë prej fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, u zhvillua provimi pranues i afatit të parë për studimet e nivelit baçelor.
Ky moment i rëndësishëm akademik u përcoll me interes të lartë, duke reflektuar përkushtimin e UP-së për të garantuar një proces transparent, profesional dhe inkurajues për maturantët.
Në sallat dhe ambientet ku zhvillohej testimi, një vizitë mbështetëse u realizua nga përfaqësuesit e lartë institucionalë: Prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, prof. Avni Hajdari, prorektorja për buxhet, financa dhe bashkëpunim me sektorin publik dhe privat, prof. Albana Berisha-Qehaja, dhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.
Gjatë vizitave në Fakultetin e Arkitekturës, Fakultetin e Arteve, Fakultetin Filozofik dhe Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, prorektorët shprehën mbështetje të pakushtëzuar për maturantët që po përballen me këtë sfidë vendimtare. Me urime të përzemërta, ata u dëshiruan kandidatëve sukses në provim.
Provimet pranuese do të vijojnë gjatë ditëve në vazhdim, sipas kalendarit akademik. Sivjet, Universiteti i Prishtinës ka paraparë të pranojë 5,723 studentë të rregullt në programet e nivelit baçelor.
Studentët që do të pranohen, do të kenë fatin e mirë të studiojnë në universitetin më të madh, më të vjetër e më të suksesshëm të Kosovës dhe të renditurin më së larti nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.