E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Universiteti i Prishtinës përfshin mësimin e gjuhës serbe në një program të ri

- Advertisement1-

Zarife Çoçaj është një nga 11 studentët e Ballkanistikës, programit më të ri të Fakultetit Filologjik të akredituar këtë vit, që ofron mësimin e gjuhës shqipe, serbe dhe gjuhëve të tjera të Ballkanit bashkë me letërsinë, kulturën dhe historinë e tyre.

Ajo thotë se këtë drejtim e sheh si një mundësi të mirë për të ardhmen e saj.

- Advertisement -

“Shumë procese në Kosovë lidhen me një ndërveprim rajonal në Ballkan, si pjesë e procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”, thotë ajo.

Gati tri dekada që kur mësimi në Kosovë filloi të zhvillohet në mënyrë paralele, i ndarë përgjatë vijës etnike, për herë të parë këtë vit gjuha serbe do të fillojë të mësohet në universitetin kryesor publik të Kosovës si pjesë e programit të Ballkanistikës.

Ballkanistika është program katërvjeçar, ku do të mësohet gjuha shqipe dhe serbe. Pas përfundimit, studentët do të mund të dalin si përkthyes profesionalë.

Programi i ri i Ballkanistikës përfshin jo vetëm mësimin e gjuhëve, por edhe letërsinë, kulturën dhe historinë e Ballkanit. Studentët si Zarifja do të përgatiten në fushën e përkthimit dhe mësimdhënies së gjuhëve të Ballkanit si dhe në fusha të tjera që lidhen me këtë areal gjuhësor dhe gjeografik.

Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, thotë se programi i Ballkanistikës që për herë të parë u akreditua në vitin 2015, por që në mungesë të stafit iu hoq akreditimi, tani është dizajnuar më ndryshe, duke u profilizuar më shumë në fushën e përkthimit.

“Përmbajtja e Ballkanistikës si program është më e veçantë dhe ka të bëjë me aspektet shkencore të gjuhëve, si dhe me aspektet kulturore, historike dhe letrare në Ballkan”, thotë Rugova.

- Advertisement -rrrrrrr

Rugova shton se institucionet në Kosovë aktualisht kanë nevojë për përkthyes dhe interpretë gjuhësorë në të gjitha nivelet e administratës. “Njohja e gjuhëve zyrtare të vendit: gjuhës shqipe dhe gjuhës serbe, është një plus i madh për secilin”, thotë ajo.

Sipas saj, studentët e Ballkanistikës mund t’i zotërojnë në nivel akademik tri gjuhë të huaja përnjëherësh.

Deri në vitin 1999, serbo-kroatishtja ishte gjuha e parë zyrtare, një lloj “gjuhë kryesore”, e cila konsiderohej si një urë mes folësve, gjuhët amtare të të cilëve ishin të ndryshme.

Kur Serbia e konsolidoi kontrollin e vet mbi Kosovën nga fundi i viteve 1980, shqipja u hoq si gjuhë zyrtare nga institucionet.

Lufta e viteve 1998-1999 e përmbysi këtë realitet, duke lënë pas një trashëgimi ndarjesh në vija gjuhësore në Kosovë që, si kudo tjetër në vendet e ish-Jugosllavisë, vazhdojnë të jenë endemike dhe një sindromë e armiqësisë ndëretnike.

Kjo gjithashtu krijoi hendek të mungesës së përkthyesve profesionistë nga gjuha shqipe në atë serbe dhe anasjelltas.

Arta Pllana, koordinatore për komunikim në Zyrën e Komisionerit për Gjuhë, një mekanizëm që monitoron zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Kosovë, shpreson se program i Ballkanistikës do ta lehtësojë krizën e përkthimit.

“Gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë dy gjuhët zyrtare në Kosovë dhe i gjithë dokumentacioni duhet të jetë në dy gjuhët. Por shpesh ka ngecje në respektimin e tyre për shkak të mungesës së përkthyesve”, thotë ajo.

“Programi pritet të nxjerrë profesionistë të certifikuar të cilët më pastaj do të kenë mundësi të punësohen në institucione si përkthyes profesionalë”, thotë Pllana. “Pa dyshim se ky numër i profesionistëve do ta zbusë gjendjen në administratë”.

Dekania Rugova tregon se serbishtja është vetëm njëra nga gjuhët që ofrohet në këtë program, por janë edhe gjuhët e tjera që ofrohen varësisht nga interesimi i studentëve. “Natyrisht që për kontekstin kosovar, serbishtja është gjuhë zyrtare dhe parashihet të kërkohet më shumë”, thotë Rugova.

Këtë vit, vetëm një student serb është regjistruar në programin e Ballkanistikës, ndërsa shumica e të tjerëve janë shqiptarë. Programi i Ballkanistikës ka mungesë të stafit të rregullt akademik të UP-së dhe aktualisht funksionon me staf të angazhuar nga rajoni, të mbështetur nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Organizata për Migrim (IOM).

Serbia vazhdon të ushtrojë kontroll mbi sistemin arsimor në vendet me shumicë serbe në Kosovë, ku shkollat aplikojnë kurrikulën mësimore shtetërore të Serbisë, që përjashton mësimin e gjuhës shqipe. Po ashtu, gjuha serbe nuk është e përfshirë as në sistemin e fillor, as atë mesëm të Kosovës.

Duke promovuar shumëgjuhësinë si mjet për të shmangur ndarjet dhe tensionet, Rugova thotë se njohja e gjuhëve e lehtëson komunikimin gjuhësor ndërmjet komuniteteve. “Çdo lehtësim i komunikimit gjuhësor e lehtëson edhe komunikimin shoqëror ndërmjet tyre”, thotë Rugova. /Blendrita Avdiu/

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për Ballafaqimin me të Kaluarën (BmK) dhe Gazetarinë e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autores dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...

Kjo është një klasë e improvizuar pas luftës në Gjakovë

Drejotresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, ka publikuar një fotografi të një klase...

Fjalët e urta dhe thëniet për misionin e lartë të mësuesit

Mbase u bë ca kohë që jeni shkëputur nga shkolla apo që kur keni...