Në një ceremoni solemne ku u kujtua e kaluara, u vlerësua e tashmja dhe u treguan hapat e sigurt drejt së ardhmes, Universiteti i Prishtinës ka shënuar 56 vjetorin e themelimit.
Ceremonia u hap me intonimin e himnit shtetëror dhe më pas edhe atij akademik “Gaudeamus Igitur”, ndërsa fjalimin tradicional të këtij përvjetori e mbajti rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu.
Teksa foli për rezultatet, sukseset, ndërkombëtarizimin dhe transformimin e UP-së në një universitet modern e të hapur të kohës në të cilën po jetojmë, rektori Hajrullahu tha se pritjet e qytetarëve të Kosovës për Universitetin e Prishtinës gjithmonë kanë qenë të larta.
“Të jesh në krye të një institucioni si Universiteti i Prishtinës është përgjegjësi e madhe dhe nder i papërsëritshëm, unik në jetë. Nga populli i Kosovës dhe jo vetëm, Universiteti i Prishtinës gjithnjë u pa e vazhdon të shihet si shpresë për zhvillim e për një të ardhme, për kohë më të mira”.
Në shënimin e 56 vjetorit të UP-së u shfaqën video-mesazhet mbështetëse nga profesori emeritus i Saga University të Japonisë, Kohei Arai dhe prorektori i asociuar e dekani i Universitetit të Iowas, Russel Ganim. Folën edhe prorektori i Universitetit të Lubjanës, Janez Vogrinc dhe drejtoresha e kërkimit shekncor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Savonia të Finlandës, Dr. Ardita Jahja, pasi këto dy universitete partnere morën mirënjohje nga UP-ja.
Një fjalë rasti mbajti edhe studentja e UP-së nga Malawi, përfituese e Fondit të Bursave të Kosovës, Emma Whale, derisa folën edhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arsim Ademi, nënkryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademiku, Fejzullah Krasniqi dhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Drilona Hamiti.
Manifestimin me pika artistike e pasuruan kori i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, nën dirigjimin e profesor Valton Beqirit dhe profesorët dhe instrumentistët e njohur të këtij fakulteti, prof. Lule Elezi, prof. Rron Bakalli dhe prof. Lirika Pula.