Universiteti i Pejës “Haxhi Zeka” më datën 19 prill, kishte hapur konkurs për pozitën “Zyrtar Ekzekutiv i Këshillit Drejtues”.
Pozitë kjo e cila kishte në dispozicion, vetëm një vend pune. E për këtë pozitë në rezultatet e testit me shkrim kaluan 5 kandidatë, ku më së shumti pikë kishte Rita Mazrekaj, ndërsa më së paku Blerina Boqolli.
Disa javë pas testit më shkrim, të njëjtit kandidatë u ftuan edhe për në intervistë.
Rezultatet përfundimtare të këtij konkursi treguan se kandidatja më e suksesshme ka dalë Rita Mazrekaj, e cila edhe është emëruar sot në këtë pozitë.
Një burim i gazetës Nacionale brenda universitetit, ka treguar se prej fillimit të hapjes së këtij konkursi, është ditur se kush do ta fitonte këtë vend të punës.
Për këtë arsyeje, edhe Rita Mazrekaj si në testin me shkrim ashtu edhe në intervistë, ishte poentuar me pikët maksimale.
Pas rezultateve përfundimtare të konkursit, Rita Mazrekaj është emëruar në pozitën “Zyrtar Ekzekutiv i Këshillit Drejtues”.
I njëjti burim, ka treguar për gazetën Nacionale se favorizimi ka ndodhur për shkak të afërsisë, që Mazrekaj ka me kryesuesen e Këshillit Drejtues, Majlinda Belegu.
“Që nga fillimi e kemi ditë se kjo pozitë po hapet për të. E kemi ditë që e njëjta do të del e parë në çdo testim, krejt kjo pasi që ka favorizim të madh nga kryesuesja e Këshillit Drejtues të këtij universiteti”, thotë ky burim i Nacionales.
Në fotot e shumta në rrjetet sociale, që i ka siguruar nga Nacionale vërehet se Rita Mazrekaj, ka shoqëri të ngushtë më kryesuesen e Këshillit Drejtues të Universitetit të Pejës, Majlinda Belegun.