Universiteti “Fehmi Agani” në Gjakovë nuk e ka hapur afatin e janarit, studentët i kërkojnë Rektoratit mbledhje urgjente

- Advertisement5 -

Afati i janarit për vlerësimin e studentëve të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë ende nuk është hapur pasi nuk është miratuar Kalendari Akademik për vitin akademik 2025/2026.

- paragrafi 1 -

Këtë e ka konfirmuar rektori Drilon Bunjaku, i cili tha se Kalendari Akademik qëllimshëm nuk u miratua nga Senati i Universitetit “Fehmi Agani” në dy ftesat që u ka dërguar për ta votuar përmes adresës elektronike më 15.01.2026 dhe 17.01.2026.

- Advertisement -

“Nuk është miratuar Kalendari Akademik për shkak të mosdeklarimit të votës të disa prej senatorëve përmes emailit zyrtar, rrjedhimisht për shkak të mungesës së kuorumit” – ka thënë Bunjaku më 21.01.2026.

KALLXO.com u ka dërguar pyetje senatorëve të Universitetit “Fehmi Agani” nga data 21.01.2026 për votimin e tyre në lidhje me Kalendarin Akademik.

Senatorët e Universitetit “Fehmi Agani”, të cilët i ka konfirmuar Bunjaku si kryesues i Senatit, janë: Ilmi Hoxha, Elsa Vula, Labinot Berisha, Haxhi Kamberi, Ferdi Kamberi, Nexhmije Kastrati, Sindorela Doli-Kryeziu, Artan Nimani, Abedin Sadrija dhe Granit Kelmendi. Asnjëri nuk është përgjigjur në pyetjet e KALLXO.com deri në publikimin e artikullit.

- Advertisement -

“Përmes mosmiratimit të Kalendarit Akademik dëmtohen drejtpërdrejt studentët dhe mbarëvajtja e procesit të vlerësimit dhe po ashtu u shkelet e drejta studentëve e cila është e garantuar përmes Statutit dhe legjislacionit në fuqi” – ka shtuar Bunjaku.

Ndërsa, nga Parlamenti Studentor i Universitetit “Fehmi Agani” kanë reaguar ndaj kësaj situate duke kërkuar thirrjen e një mbledhjeje urgjente nga rektori i Universitetit, në të cilën kërkojnë të jenë të pranishëm përfaqësuesit studentorë, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe të Senatit.

“Jemi në pritje të thirrjes së kësaj mbledhjeje dhe shpresojmë që të zhvillohet sa më shpejt, për të sqaruar të gjitha shqetësimet e studentëve dhe për të marrë vendime konkrete” – ka thënë studenti Besmir Pepshi.

Studenti Besmir Pepshi ka thënë për KALLXO.com se është kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Fehmi Agani” nga muaji tetor 2025. Ai po ashtu bëri të ditur se merr pjesë në mbledhjet e Senatit të Universitetit, por nuk ka të drejtë vote.

Pepshi ka treguar se kanë marrë ankesa nga studentët në lidhje me vonesën e hapjes së afatit të janarit.

“Komunikimi me studentët bëhet vazhdimisht përmes rrjeteve sociale por jo me i jep frikë dhe panik edhe grupeve të komunikimit, duke i informuar dhe qetësuar ata që të mos ndalen së mësuari. Qëllimi ynë është të sigurojmë që studentët të jenë të përgatitur dhe të mos ndihen të pasigurt për procesin” – është shprehur Pepshi.

Në paragrafin 2 të nenit 111 në Statutin e Universitetit “Fehmi Agani” thuhet “Afatet e provimeve përfshijnë afatin e dimrit (janarit), pranverës (qershorit) dhe vjeshtës (shtatorit). Periudha e saktë për çdo afat është e përcaktuar me kalendarin e përgjithshëm të studimeve, i cili është i pranuar nga Senati dhe i hapur për publikun. Hollësitë rreth datës së fillimit dhe përfundimit të secilit afat të provimeve përcaktohen nga këshillat e njësive akademike.”

Ndërsa, paragrafi 3 i nenit 111 të Statutit përcakton se “oraret e afateve të provimeve, ku janë të përfshira oraret ditore, shpallen në fillim të vitit akademik.”

Pepshi theksoi se çdo pengesë që ndikon te studentët ndikon edhe tek ai.

“Procesi i votimit për miratimin e Kalendarit Akademik për vitin 2025/2026 është i rihapur dhe do të vazhdojë deri të hënën. Ky afat është vendimtar për të siguruar se çdo vendim i Senatit është i dokumentuar dhe i diskutuar plotësisht” – thuhet në përgjigjen e Pepshit më 22.01.2026.

 

lg.php?bannerid=0&campaignid=0&zoneid=59&loc=https%3A%2F%2Fkallxo.com%2Flajm%2Funiversiteti fehmi agani nuk e ka hapur afatin e janarit studentet i kerkojne rektoratit mbledhje urgjente%2F%3Ffbclid%3DIwY2xjawPfaa1leHRuA2FlbQIxMABicmlkETFOOVFBbW9sSm5qNjhwRjl2c3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHgBmDTYbu6u2csBxQwSNDaFsEulvVZnPYIxxF89YELEh83PM1Ws HCPLEkYD aem wL52TfhfFI fhWGCnoJU3g&referer=https%3A%2F%2Fl.facebook

 

Teksa thot se kjo është çështje e ndjeshme dhe thelbësore për studentët, Pepshi zotohet se do të vazhdojnë të merren me zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Derisa presim që Universiteti të gjejë një zgjidhje, nuk është paraqitur ndonjë ankesë zyrtare në Ministrinë e Arsimit. Qëllimi është të zgjidhet situata në nivel institucional pa nevojën e ndërhyrjeve të jashtme. Por, sot kryetari i Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë (A.R.) ka dërguar një kërkesë publike në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT). Presim për përgjigje” – ka njoftuar ai.

Rektori Bunjaku ka thënë se ka njoftuar Ministrinë e Arsimit për mosmiratimin e Kalendarit Akademik dy herë, më 16.01.2026 dhe 19.01.2026.

Për mosmiratimin e Kalendarit Akademik dhe për pasojë edhe moshapjen e afatit të janarit në Universitetin e Gjakovës, KALLXO.com e ka pyetur edhe Arbërie Nagavcin, ministren në detyrë të Arsimit dhe dy zëvendësit e saj, Taulant Kelmendin dhe Arsim Ademin. Por, ende nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

Në anën tjetër, rektori Bunjaku njoftoi fillimisht më 19.01.2026 për mosmiratimin e Kalendarit Akademik në profilin e tij në Facebook duke iu drejtuar studentëve. E një ditë më pas, e ka shpërndarë këtë njoftim duke thënë “I inkurajoj të gjithë studentët e UFAGJ-së që të kërkojnë të drejtën e tyre të cenuar! Njëkohësisht, i mbështes në çdo pikëpamje, përfshirë edhe ushtrimin e protestës paqësore.”

I pyetur për postimin e datës 21.01.2026, Bunjaku tha se personalisht ka qenë gjithmonë dhe është në mbështetje të studentëve. Ai vlerëson se studentët janë arsyeja përse ekzistojnë universitetet.

“Si rektor e kam për obligim t’u ofroj kushte më të mira, programe cilësore për studime të cilat janë në harmoni me kërkesat e tregut të punës, t’i mbështes ashtu që të mos u mohohet asnjë e drejtë e tyre e cila është e garantuar me Statut dhe me legjislacionin në fuqi. Përmes njoftimit publik që kam bërë në rrjetin social Facebook, e kam konfirmuar mbështetjen time në çdo aspekt duke mos e anashkaluar edhe ushtrimin e protestës paqësore për të drejtat e studentëve që po ua mohojnë qëllimshëm disa senatorë” – ka shtuar Bunjaku.

Kurse, Pepshi për mbështetjen e rektorit për protestë paqësore tha se është i informuar, por se për momentin nuk ka diskutim të hapur për protestë në këshillat e fakulteteve, pasi fokusi i tyre është të arrijnë një zgjidhje pa tensione dhe pa masa radikale.

“Ne e konsiderojmë këtë hapje të mundshme vetëm si një mjet për të siguruar që të drejtat e studentëve të respektohen, nëse situata do të kërkojë ndërhyrje të tillë” – ka thënë Pepshi.

Pepshi e ka përmendur edhe një reagim zyrtar të Parlamentit Studentor të Universitetit “Fehmi Agani” në Facebook për afatin e provimeve, në të cilin tregojnë komunikimin me Rektorat dhe Senat për këtë çështje.

Për dallim nga Universiteti i Gjakovës, afati i janarit për vitin akademik 2025/2026 është hapur në Universitetin e Prishtinës, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan dhe në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Në anën tjetër, Drilon Bunjaku ishte zgjedhur rektor i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë më 22.09.2023, siç kishte njoftuar ministrja Nagavci. Kurse, më 02.12.2022, ishte raportuar zgjedhja e Zeqir Hashanit si ushtrues detyre i rektorit të këtij Universiteti.

Hashani kishte ardhur në pozitën e ushtruesit të detyrës së rektorit pasi Artan Nimani ishte shkarkuar nga pozita e rektorit të Universitetit të Gjakovës më 21.11.2022. Nimani ishte zgjedhur rektor më 12.07.2019.

Aktualisht, Bunjaku thot se nga muaji tetor 2025 është duke udhëhequr me administratën e Universitetit, ndërsa prorektorja e vetme, Kaltrina Kusari, është në pushim të lehonisë, ndërsa, tre prorektorë të tjerë ai tha se dhanë dorëheqje më 2025 për arsye personale.

/Marrë nga KALLXO.com