Gjatë vitit akademik 2023/2024, numri i studentëve të regjistruar në kolegjet private në Kosovë ka tejkaluar atë të studentëve të regjistruar në Universitetet Publike.
Bazuar në të dhëna zyrtare të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) shihet se në vitin akademik 2023/2024 në Universitete Publike në vit të parë janë regjistruar 7890 student, deri sa po këtë vit në kolegjet private janë regjistruar 8712 student.
Të dhënat tregojnë tregon një preferencë në rritje për arsimimin në Institucionet private, të cilat ofrojnë mundësi të ndryshme dhe shërbime më të personalizuara.
Sipas studenteve, por edhe njohëseve të kësaj fushe arsyet pse të rinjtë po zgjedhin si mundësi të parë kolegjet private përfshijnë fleksibilitetin në oraret e mësimit, programet e specializuara dhe kushte më të mira për studim. E sipas tyre kjo situatë thekson nevojën për të vlerësuar cilësinë e ofrimit të arsimit sidomos në Institucionet Publike në vend.
Studentët e regjistruara në Universitetet Publike
Gjithnjë referuar të dhënave të siguruara nga Agjencia e Statistikave e Kosovës shihet se në vitin akademik 2023/2024 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë regjistruar 4293 student të rijnë, në Universitetin e Prizrenit “Ukishin Hoti” janë regjistruar 983 student, në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” janë regjistruar 419 student, në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” sipas të dhënave të ASK-së janë të regjistruar 498 student, në Universiteti e Shkencave të Aplikuara Ferizaj janë 453 student, në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” janë 807 student, në Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” janë të regjistruar 364 student, në Fakultetin e Studimeve Islame janë 73 student.
Studentët e regjistruara në Kolegje Private
Sipas të dhënave zyrtare shihet se në vitin akademik 2023/2024 në Kolegjin UBT janë regjistruar 2500 student të rinj, në kolegjin AAB janë regjistruar 3055 student të rinj, AUK-i ka të regjistruar 193 studentë të rinj, Kolegji i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” ka të regjistruar 373 student të rinj në vitin akademik 2023/2024, Kolegji Tempulli ka regjistruar gjithsejtë 49 student, Kolegji Universum ka të regjistruar në vitin e parë 1627 student, Kolegji Heimerer ka të regjistruar 290 student, kolegji biznesi 294 student, Kolegji IBCM ka regjistruar 143 student, Kolegji Pjetër Budi ka vetëm 10 student, Kolegji ESLG ka 22 student, Akademia Evolucion në vitin akademik 2023/2024 ka të regjistruar 156 student, raporton Front Online.
Paçarizi: Në shumicën e drejtimeve natyrore nuk plotësohet numri i kërkuar me konkurs
Në anën tjetër njohës të fushës, por edhe profesor të Universiteteve Publike thonë se në konkurset e shpallura nuk po plotësohet numri i studenteve të paraparë më konkurse. Rënia e numrit të studentëve në arsimin e lartë në Kosovë ka shënuar një trend të dukshëm në vitet e fundit, i cili është veçanërisht i theksuar në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës. Profesori Musaj Pacarizi, profesor në këtë fakultet, për portalin Front Online shpjegon se ky trend ka nisur që nga viti 2020-2021, kur numri i studentëve të regjistruar filloi të bie, dhe tani, në shumicën e drejtimeve të Fakultetit, nuk plotësohet as numri i kërkuar i studentëve përmes konkursit të pranimit. Kjo rënie sipas Pacarizit nuk është e kufizuar vetëm në këtë fakultet, por po vërehet edhe në shumë fakultete të tjera të Universitetit të Prishtinës.
“Në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, numri i studentëve ka filluar të ketë rënie që nga viti 2020-2021, dhe tash në shumicën e drejtimeve nuk plotësohet numri i kërkuar me konkurs. Mirëpo, ky trend i rënies tash vërehet edhe në shumicën e Fakulteve tjera në Universitetin e Prishtinës’’, tha Pacarizi për Front Online. Sipas profesor Pacarizit, arsyeja kryesore e këtij uljeje është kompleksiteti dhe angazhimi i lartë që kërkojnë degët e Shkencave Matematiko-Natyrore. Këto sipas tij kërkojnë përkushtim të madh, si në ligjërata ashtu edhe në ushtrime praktike, dhe shpesh konsiderohen si degë “më të vështira”, të cilat mund të demotivojnë studentët e mundshëm. Po ashtu, një tjetër faktor ndikues është tregu i punës, i cili është relativisht i kufizuar për studentët e këtyre degëve, sidomos në industrinë kimike, ku numri i fabrikave që operojnë me kapacitet të plotë është i vogël, duke e bërë më të vështirë gjetjen e mundësive të punës pas diplomimit. ‘’Unë mendoj se interesimi studentëve në drejtimet e Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore është më i vogël për shumë arsye: a) janë drejtime që kërkojnë angazhim më të madh të studentëve në ushtrime dhe ligjërata, si dhe konsiderohen si drejtime “më të vështira” b) tregu i punës është i vogël, dhe mundësia e kufizuar që ata të gjejnë punë në industri të ndryshme kimike, sepse numër i vogël i fabrikave janë duke punuar me kapacitetin e duhur’’, deklaroi Pacarizi.
Profesori Paçarizi gjithashtu thekson ndikimin e zvogëlimit të natalitetit dhe migrimit te të rinjve, të cilët shpesh largohen për të kërkuar mundësi më të mira jetese jashtë Kosovës.
Ky fenomen sipas tij ka kontribuar në një numër më të vogël të studentëve që regjistrohen në Universitet, duke ndikuar kështu në rënien e regjistrimeve. Për më tepër sipas Pacarizit ka ndikuar edhe rritja e numrit të kolegjeve private dhe marketingu i fuqishëm që ato realizojnë, duke ofruar mundësi më fleksibël për studentët, kanë bërë që shumë të rinj të tërhiqen nga universitetet publike dhe të regjistrohen në këto institucione private. ‘’Zvogëlimi i natalitetet dhe largimi i të rinjve për ne vendet tjera duke shpresuar për një jetë më të mirë , mirëpo ka ndikuar edhe numri i madh i kolegjeve private, si dhe marketingu i fortë që bëhet nga këto kolegje…, si dhe shumë faktorë tjerë’’, deklaroi Pacarizi.