Për sa kohë do të ketë arsim, do të lulëzojnë të gjithë bizneset që “ushqehen” prej tij: mjetet shkollore, veshjet dhe elektronika.
Në kushtet e rënies së numrit të nxënësve dhe të shtimit të bizneseve të kësaj fushe, vëzhgimet tregojnë se çmimet e mjeteve shkollore rriten vazhdimisht, pasi tregtuesit po marrin më pak produkte me çmime më të shtrenjta.
Nga Deada Hyka , gazetare e Monitor.al
Familjet po i rikthehen ritmit të normalitetit, me lajmin që shkollat do të rihapen në fund të shtatorit, por blerjet për shkollë këtë vit do të paraqesin sfida të reja. Ngjashëm me udhëtimet për pushime apo frekuentime të ambienteve të populluara, të cilat kanë parë një lulëzim të kërkesës, ndërsa më shumë shqiptarë vaksinohen; pajisjet shkollore gjithashtu këtë vit kanë një rritje të lehtë të shitjeve.
Por, sipas vëzhgimeve në terren, çmimet kanë shënuar rritje rreth 10% krahasuar me vitin e shkuar dhe me rreth 25% krahasuar me vitet para pandemisë. Familjet me fëmijë në shkollën fillore deri në shkollën e mesme thonë se planifikojnë të shpenzojnë gati 30 mijë lekë për blerje në shkollë këtë vit, duke përfshirë veshje, këpucë dhe duke përjashtuar pajisjet elektronike.
Një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë. Bizneset e fushës shprehen se aktiviteti i tyre është tkurrur, duke e argumentuar me uljen e numrit të fëmijëve dhe rritjen e bizneseve që tregtojnë mjete shkollore. Në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, mjetet shkollore gjenden në çdo kancelari, librari, markete, si dhe dyqane për fëmijë.
Në anën tjetër, në qendrat tregtare krijohet një kënd i veçantë për rikthimin në shkollë dhe që në ditët e para të shtatorit nisin fushatat “Back to School”. Torta e shpenzimeve për këtë ditë, e cila nis që për fëmijët e ciklit parashkollor dhe në kopsht, ndahet jo vetëm në dyqanet e vogla të formës kancelari, por edhe në një “luftë titanësh” mes qendrave tregtare. Dyqanet e vogla shprehen se shitjet kanë rënë ndjeshëm ndërsa qendrat tregtare raportojnë që ky vit ka qenë i mirë, në lidhje me tregtimin e artikujve shkollorë.
Burime pranë “Shtëpia e Lodrave”, biznes i cili ka mbi 10 vite në tregun shqiptar, thonë për “Monitor” se ka pasur interes të lartë për çantat shkollore. Këtë vit, pohojnë nga Departamenti i Shitjes, janë zgjedhur çanta me çmime të larta, mbi 5000 lekë, edhe për fëmijët e kopshteve.
Operatorët pranë kancelarisë “Infiniti Office” në Tiranën e Re, thonë se shitjet kanë rënë ndjeshëm këtë vit. “Vëmë re reduktim të numrit të fëmijëve në shkolla të cilët u drejtohen kancelarive tona. Ne kemi disa pika në Tiranë dhe këtë vit, ndihet një rënie e ndjeshme e shitjeve. Jemi fokusuar dy vitet e fundit në përmirësimin e gamës së produkteve që ofrojnë, duke sjellë mjete më cilësore”, – pohon ajo.
Nga kancelaria “Euro Office” në sheshin “Wilson” pohojnë se kanë vënë re, jo vetëm një numër më të ulët të fëmijëve në klasat fillore, por edhe një rënie të numrit të fëmijëve. Sipas tyre, prindërit shqiptarë kanë më pak fëmijë se më parë dhe kjo i ‘penalizon’ automatikisht me rënien e numrit të klientëve të ardhshëm.
Përfaqësues të kancelarisë “NoLimit” pranë “Casa Italia” pohojnë se pandemia ishte një pikë kthese për biznesin e tyre, sepse një pjesë e mirë e nxënësve që ndoqën mësimin online, nuk patën nevojë për shumë mjete shkollore. “Stilolapsi u zëvendësua me kompjuterin e ipad. Ne vumë re një tkurrje të blerjeve rreth 30%, jo vetëm që mjetet ishin më pak të kërkuara por edhe vetë prindërit vizitonin më pak dyqane nga frika e infektimit, pavarësisht se ne ofruam blerjet online” – pohojnë nga kancelaria “NoLimit”.
Gjithashtu, një në tre dyqane të pyetura nga “Monitor”, thanë se shkollat u kanë kërkuar prindërve të blejnë më shumë artikuj këtë vit, për disa arsye. Fillimisht, fëmijët janë ende një kategori e pavaksinuar dhe si e tillë, mësuesit nëpër shkolla sugjerojnë të mbajnë me vete dezinfektues dhe mjete shkollore të tilla si lapsa, stilolapsa të mjaftueshëm, për të mos i ndarë me njëri-tjetrin dhe të shmangin sa më shumë prekjet. Për nxënësit e klasave më të larta, laptopët janë ndër produkte që po blihen shumë.
Burimi: INSTAT
Sa kushton “dita e parë e shkollës”?
Një nga gjërat thelbësore që prindërit duhet të blejnë për fëmijët janë librat, të cilët variojnë me çmime deri në 5000 lekë. Bëhet fjalë për klasat e gjashta e në vijim të ciklit 9-vjeçar, pasi cikli fillor deri në klasën e pestë, librat i merr falas. Por vetëm me libra nuk mund të thuash se e ke kompletuar pjesën e artikujve shkollorë të një fëmije.
Lapsat, fletoret, bojërat dhe letrat me ngjyra, janë pjesa tjetër e domosdoshme për t’u blerë dhe që u nevojiten. Mesatarisht, kostoja e gjithë këtyre produkteve shkon rreth 4000 lekë për çdo fëmijë. Çantat janë një tjetër mjet i domosdoshëm për çdo nxënës. Çmimi i tyre varion nga 1,500-7,500 lekë.
Por nëse gjithë këtyre shpenzimeve do t’u shtojmë edhe përparëset që kushtojnë rreth 1000 lekë, kostot rriten edhe më tej. Çmimet e veshjeve dhe të këpucëve kushtojnë edhe këtë vit më shumë, në varësi të markave.
Nëse bëjmë një mbledhje në total të të gjitha çmimeve për artikujt shkollorë rezulton se prindërit duhet të shpenzojë mesatarisht 8500 lekë për të çuar një fëmijë në shkollë, pa librat dhe me hamendësimin se produktet janë blerë në tregje dhe jo në dyqane më cilësore.
Burimi: INSTAT
Edhe kopshtet
Por nuk janë vetëm fëmijët e shkollave, të cilët trokasin në dyert e kancelarive apo librarive, për t’u pajisur me mjete në fillim të vitit shkollor. Edhe fëmijët e ciklit parashkollor, që nis me kopshtin, në moshën 3 deri në 6 vjeç, kanë një listë të tërë të mjeteve që u kërkohen nga kopshtet publike.
Për kopshtet publike prindërit paguajnë:
170 lekë në ditë ose rreth 3 200 lekë të reja në muaj për ushqim;
Rreth 1 000 lekë, që kërkohen si dhurim “vullnetar”, për të paguar rojën e “turnit të tretë”, si dhe shpenzime të tjera administrative;
500-1000 lekë paketa e kancelarisë, paguhet në kopsht ose prindi e sjell vetë.
Çdo muaj, prindërit duhet të çojnë në kopsht letra të lagura, letra të thata dhe sapun që do të përdoren nga ose për fëmijën e tij, paketa e higjienës që shkon në 500-800 lekë në muaj.
Bashkia kërkon në nisje të kopshtit një pagesë paraprake prej 5 000 lekësh, si garanci që prindërit do të përmbushin detyrimet e tyre deri në përfundim të vitit. Kjo pagesë duhet t’u kthehet në fund të vitit, por prindërit raportojnë raste që nuk u është kthyer.
200-500 lekë për aktivitete (shuma ndryshon në varësi të kopshteve apo aktiviteteve).
Për kopshtet private prindërit paguajnë:
Pagesa mujore nga 15 mijë lekë deri në 500 euro, në varësi të institucionit
Paketa e kancelarisë, në fillim të vitit shkollor e cila arrin mesatarisht shumën e 10 mijë lekëve, përfshirë edhe librat
Në disa raste, uniforma e cila kushton 2000 lekë
Transporti, pagesë e cila varet nga vendndodhja e fëmijës por mesatarisht është 5000 lekë
Burimi: INSTAT
Shpenzimet bazë të shkollës 9-vjeçare dhe shkollës së mesme:
2 600 — 5 000 lekë për librat e shkollës për ciklin 9-vjeçar. Nga klasa e parë deri në të pestën, librat janë falas
Deri në 6 500 lekë për shkollat e mesme
3 000 – 75 00 lekë për çantën e shkollës
4 000 lekë për mjetet shkollore që kërkohen në fillim të vitit shkollor
Rreth 3 000 lekë për uniformën për shkollat 9-vjeçare e gjimnazet që e zbatojnë
2 000 – 3 500 lekë për uniformën e detyrueshme të fizkulturës, sipas ciklit të studimeve
1 000 lekë kontribut për shkollën në fillim të shkollës (pagesë kryesisht për rojën)
Rreth 1500 lekë për produkte kancelarie në muaj
Pagesa të tjera për vërtetime të ndryshme apo aktivitete jashtë shkollore
Tkurret sektori i arsimit, në një vit 26 mijë nxënës e studentë më pak për vitin akademik 2020-2021
Sektori i arsimit po tkurret me shpejtësi. Shifrat e fundit tregojnë se për vitin shkollor aktual 2020-2021, në arsimin parauniversitar janë regjistruar 584,616 nxënës, me një tkurrje 4.6% (26 mijë) më pak se në vitin shkollor 2019-2020. Sipas niveleve arsimore, struktura e pjesëmarrjes në arsimin zyrtar është pothuajse e njëjtë, gjatë tre viteve të fundit shkollor/akademik. Në vitin shkollor 2020-‘21, u regjistruan në arsimin parauniversitar 460.819 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 4,4%, krahasuar me vitin shkollor 2019-‘20.
Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 71.332 fëmijë, 8,4% më pak krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 286.486 nxënës, 55,3% në arsimin fillor dhe 44,7% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2019-‘20, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 2,8% më pak nxënës. Në vitin shkollor 2020-‘21, 91,4% e nxënësve të arsimit 9-vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 8,6% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9-vjeçar, vajzat përbëjnë 47,5% të totalit.
Në vitin shkollor 2020-‘21, u regjistruan në arsimin e mesëm 103.001 nxënës, duke shënuar ulje prej 6,0%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në vitin 2020-‘21, pjesën më të madhe të nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm e përbëjnë nxënësit e gjimnazit dhe të arsimit të mesëm social-kulturor prej 81,5%. Ky proporcion ka mbetur pothuaj në të njëjtin nivel gjatë tre viteve të fundit. Pjesa më e madhe e nxënësve të regjistruar në arsimin e mesëm ndjek arsimin në institucionet arsimore publike (86,5%).
Në vitin shkollor 2020-‘21, numri i mësuesve në arsimin 9-vjeçar është 24.443, ndër të cilët 75,8% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 16,6 ndërsa në atë privat është 13,9. Në ciklin e lartë të arsimit 9-vjeçar, raporti nxënës për një mësues në publik është 8,9 dhe në atë privat 7,2. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm është 8.584 prej të cilëve 68,4% janë gra. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm është 12,7 në arsimin publik dhe 8,9 në atë privat.
Shpenzimet për arsimin, më të ulëtat në dy dekada
Shpenzimet për arsimin arritën vetëm 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020, duke shënuar nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit. Duke vrojtuar shpenzimet publike për arsimin në raportin e tyre me PBB shihet se gjatë periudhës 2001-2020, shpenzimet për arsimin ishin më të ulëtat gjatë vitit të kaluar, pasi përgjithësisht ato kanë qëndruar në nivelin 3%.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, vitin e kaluar shpenzimet për arsimin arritën në shumën prej 40 miliardë e 748 milionë lekë. Kjo shumë ishte sa 7.6% e totalit të shpenzimeve buxhetore të vitit 2020 dhe në nivelin 2.27% të PBB, së bashku me shtesat e fondeve të rimarra/trashëguara nga viti 2018 nga arkëtimi i tarifave të universiteteve.
Fondet për arsimin u pakësuan në aktin normativ të marsit 2020 me 1.23 miliard lekë, nga të cilat 1.1 miliard ishin në grupin e shpenzimeve kapitale dhe rreth 131 milionë lekë, në grupin e shpenzimeve korente.
Sipas kësaj ecurie, Shqipëria, jo vetëm që nuk ka bërë përparime në detyrimet që kërkon anëtarësimi në BE për financimin e arsimit, por ka bërë hapa pas, për shkak të vështirësive që solli pandemia. Kriteret e anëtarësimit në BE rekomandojnë financim të sektorit publik të arsimit më së paku 5% të PBB. Por vitin e kaluar nuk u përmbush as 50% e këtij objektivi.
Botë, rriten çmimet me rikthimin në klasa
Ndërsa më shumë nxënës kthehen në klasë në javët e ardhshme, prindërit në mbarë botën po bëjnë shpenzime më stresuese, për shkak të mungesës së furnizimeve dhe rritjes së çmimeve. Produktet e “Back To School” pritet të jenë me mungesa dhe më të shtrenjta këtë vit, për shkak të më shumë klasave që do të rihapen plotësisht pas një viti mësimi virtual dhe në mungesë të zinxhirit të furnizimit si rezultat i COVID-19, raporton USA Today.
Konsumatorët mund të presin që të paguajnë rreth 10 deri në 15% më shumë për veshje dhe furnizime, për shkak të një inflacioni prej 6% në veshje, sipas USA Today. Në Takoma, Washington, Dale Fusch, drejtuesi i dyqanit “Strictly for Kids”, tha se furnizuesit kanë rritur çmimet “shumë herë”. Në Houston, Texas, ekziston shqetësimi midis prindërve se ata nuk do të jenë në gjendje të gjejnë veshjet që plotësojnë kërkesat e kodit të veshjes, zbuloi ABC13. Në Cincinnati, Ohio, nuk kishte çanta Disney, raportoi ABC9.
Ekspertët e shitjeve me pakicë parashikojnë që artikuj të tillë si çanta shpine, mjete shkolle dhe laptopë mund të jenë në furnizim për një kohë të shkurtër deri mes të shtatorit. Familjet me fëmijë në shkollën fillore deri në shkollën e mesme planifikojnë të shpenzojnë mesatarisht 848,90 dollarë për artikujt e shkollës, që është 59 dollarë më shumë se vitin e kaluar, sipas Federatës Kombëtare të Shitjes me Pakicë.
USA Today zbuloi se dyqanet “Target” dhe “Walmart” në Florida dhe Kaliforni kishin seksione të pajisura mirë me furnizime shkollore. “Konsumatorët duket se janë të vetëdijshëm për disa nga këto sfida, kjo është arsyeja pse më shumë po i bëjnë blerjet e tyre për shkollë më herët se zakonisht” – tha Neil Saunders, drejtor menaxhues i konsulencës GlobalData Retail, për USA Today.
Duke u zhytur në borxhe për furnizimet e shkollës
Kombinimi i inflacionit dhe listave më të gjera të blerjeve po dëmton disa familje, sipas një studimi të 1.000 prindërve me fëmijë nën 18 vjeç nga LendingTree. Afërsisht një e treta e të anketuarve thanë se ata presin të hyjnë në borxh këtë vit, për shkak të kostos së blerjes së furnizimeve për vitin shkollor, të cilin LendingTree e vendosi pak më të ulët në rreth 500 dollarë për familje.
“Jam befasuar që më shumë njerëz thonë se do të hyjnë në borxhe gjatë shkollimit këtë vit sesa në vitin 2020 për shkak të ndihmës financiare të tilla si kontrollet stimuluese dhe rritja e Kredisë për Taksën e Fëmijëve, – tha Schulz për gjetjet e firmës financiare. Kjo thjesht tregon se sa afër kufirit minimal po jetojnë kaq shumë njerëz”.
Rreth 4 në 10 nga ata prindër presin të marrin borxh për të blerë furnizime për fëmijët e tyre, sipas studimit. “Mësimi mund të jetë padyshim i shtrenjtë” – tha ai. “Ne kemi laptopët në tavolina, karrige zyre dhe gjëra që janë më të shtrenjta se një çantë shpine dhe një kuti dreke”. Prindërit po marrin një lehtësim përmes Kredisë së Rritur të Taksës së Fëmijëve, me IRS që arrin deri në 300 dollarë për secilin fëmijë nën 6 vjeç dhe 250 dollarë për fëmijët e moshës 6-17 vjeç.
Dy pagesat e para u lëshuan në korrik dhe gusht, me katër të tjera të planifikuara çdo muaj deri në dhjetor. Shumë prindër i thanë CBS MoneyWatch se ata synojnë të përdorin një pjesë të parave për pajisje shkollore ose shpenzime arsimore.
/Monitor.al