Ibadete Bytyçi, dje është zgjedhur nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si “Shkencëtarja e vitit”.
Kardiologia, me një CV të ngjeshur të arriturash shkencore, aplikoi rregullisht në konkurset e Universitetit të Prishtinës, që nga viti 2010 deri më 2020, por nuk u pranua. Aktualisht angazhohet në QKUK me kontratë jo të përhershme.
“Kam aplikuar prej kur i kam përfunduar studimet 2010, unë e kam përgatit cv-në e të tjera.. është fakt që viteve të fundit kam pasur shumë aktivitete shkencore, jam në grupe punuese të ekspertëve. Esenca është se unë mendoj se pjesa shkencore për Universitetin e Prishtinës nuk ka vlerë”, ka thënë Bytyçi në Klan.
“Në kushte normale qysh duhej të vepronte universiteti është numri i prezantimeve shkencore, nuk është e njëjtë si me bo një prezantim në Ohër si në Boston, por esenca është që në kritere të konkursit seleksionohet, nuk është më e rëndësishme a i ke 100 punime apo dy, jeni të barabartë”, shtoi ajo.
Ajo tha se shkenca në Kosovë nuk është dobiprurëse, “Në vendet tjera kanë stimulim, te ne kjo ërkrahje mungon dhe duhesh të bësh punë shtesë për t’i mbuluar akomodimet e të tjera… Stimulimi nuk është edhe shumë i mjaftueshëm ka shpenzime pjesa shkencore, por fatmirësisht unë kam marrë shpesh grande të vogla të udhëtimit, nga kongrese amerikane e të Evropës”.
“Shkencëtarja e vitit 2021” tha se ky çmim është motivim për gjeneratat e reja që në të ardhmen të nxiten që të merren me aktivitete shkencore sepse shkenca, sipas saj, është vetë dija.
“Shkencëtari i vitit është një kurorëzim i aktivitetit tim shkencor është një vlerësim i punës tënde shkencore, një vlerësim i rrugëtimit tim. Nuk e kam paraparë që do të zgjidhem. Unë e kam si traditë të aplikoj dhe kështu ata ma mundësuan që të zgjidhem, dhe jam falënderuese”.
Sipas Bytyçit 16 vjet studime që i ka bërë janë sakrificë, por që ia vlen.
“16 vjet studime është një sakrificë kur sheh retrograd është sakrificë por ia vlen”.
Ajo tregoi se tani do të vazhdojë edhe me studime të postdoktoratës,por në një fushë tjetër.