Emërimi i Muhamet Morinës në detyrën e Drejtorit të Arsimit në Komunën e Rahovecit shënon një hap të ri në karrierën e tij profesionale në shërbim të arsimit.
Me këtë rast, Morina i është drejtuar me një letër publike prindërve dhe nxënësve të gjeneratës së fundit me të cilën ka punuar gjatë tre viteve të fundit, duke shprehur mirënjohje, emocione dhe urime të sinqerta për të ardhmen e tyre, shkruan AlbanianEducation.net.
Në mesazhin e tij, ai thekson lidhjen e veçantë të ndërtuar me nxënësit gjatë kësaj periudhe, duke e cilësuar ndarjen si të vështirë emocionalisht, por të domosdoshme për shkak të detyrës së re.
Morina nënvizon se dashuria dhe përkushtimi ndaj nxënësve mbeten të pandryshuara, pavarësisht rolit të ri institucional.

Postimi i plotë i Muhamet Morinës:
Letër për nxënësit me të cilët për më shumë se tre vite kemi ndarë përditshmërinë
Të nderuar prindër dhe shumë të dashur nxënës,
Me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se unë, mësuesi i fëmijëve tuaj, jam emëruar në një detyrë të re.
Po ju shkruaj t’ju falënderoj nga zemra për bashkëpunimin tuaj të sinqertë dhe gjithashtu t’ju uroj fëmijëve shëndet të mirë dhe suksese në vazhdimësi.
Unë dhe nxënësit e mi kemi bërë plane që bashkë të shkojmë deri në fund të klasës së pestë, por duhet të përshëndetemi, sepse kështu e do puna.
Ju lutem, shpjegojani arsyen dhe ju thuani se i dua shumë. Lidhjen me ta e kam shumë emocionale, prandaj kanë për ta përjetuar rëndë ndarjen, ashtu siç jam duke e përjetuar edhe unë.
Unë do të lë takim me ju dhe nxënësit që të përshëndetemi ngrohtësisht dhe me respekt të ndërsjellë.
Duke u lutur për ju dhe fëmijët tuaj, ju uroj të mirat dhe të mbarat e botës.
Suksese nxënësve dhe lumturi në familjet tuaja!
Mësuesi!