E shtunë, 23 Nëntor, 2024

“T’u mësojmë fëmijëve vlerën e shkollës” nga psikologia Diola Malasi

- Advertisement1-

Ekspertët në fushën e psikologjisë së zhvillimit pohojnë se mënyra më e mirë për të ndihmuar fëmijët drejt botës së shkollës është duke i përgatitur më përpara rreth emocioneve të reja, shkruan Diola Malasi, psikologe ne shkollën 9- vjeçare “Ali Agjah”

T’u mësojmë fëmijëve vlerën e shkollës

- Advertisement -

Fëmijët dëshirojnë të mësojnë që kur lindin. Ata investojnë të gjithë energjinë e tyre për të kuptuar dhe asimiluar ambinetin që i rrethon. Dhe ja, zbulim pas zbulimi vjen momenti për të shkuar në kopsht, më pas dita e parë e shkollës e kështu me radhë. Për ata kjo është një mundësi fantastike; në bankat e shkollës do të ushqejnë kuriozitetin e tyre me informacione nga më të ndryshmet. Për prindërit çështja është më delikate. T’i transmetosh fëmijës vlerën e shkollës dhe shijen e të mësuarit, duke filluar që në periudhën parashkollore, nënkupton të vendosësh themelet për një shkollim të qetë e të shëndetshëm.

Parashkollor

Jepini vlerë shkollës:

Ekspertët në fushën e psikologjisë së zhvillimit pohojnë se mënyra më e mirë për të ndihmuar fëmijët drejt botës së shkollës është duke i përgatitur më përpara rreth emocioneve të reja, duke i treguar rreth asaj që do të përjetojnë në mënyrë që të kenë kohën e nevojshme për të përpunuar e kuptuar eksperiencën e re. Përpara fillimit të vitit të ri shkollor, është mirë të flitet në shtëpi për këtë argument për të kuptuar pritshmërinë e fëmijëve, frikërat e tyre, për t’i qetësuar e siguruar ata. Ndaj sigurohuni ta ktheni situatën nga dramatike në më të qetë, edhe pse ndieni një shtrëngim në zemër, teksa shihni fëmijën që largohet nga shtëpia. Përpiquni t’ia prezantoni vështirësitë si sfida që i ndihmojnë të rriten. Edukojini fëmijët drejt pavarësisë.

Kur fëmija të shkojë në shkollë, duhet të siguroheni që ai të jetë sa më i pavarur, të dijë të veshë këpucët, të thotë ‘të lutem’, ‘faleminderit’ e të presë radhën e tij. Ndaj është shumë e rëndësishme t’u mësoni fëmijëve rregullat në shtëpi, p.sh. duke i kërkuar të voglit të vendosë rregull në dhomën e tij ose të vendosë lodrat në vendin e caktuar. Për mungesë të kohës, shpesh prindërit e mbyllin njërin sy. Megjithatë, nëpërmjet rregullave fëmijët mësojnë të jenë të përgjegjshëm për gjërat e tyre dhe të respektojnë ato të të tjerëve.

Jepini kohë:

- Advertisement -rrrrrrr

Në ditët e para të shkollës, kur fëmija vjen në shtëpi, ka nevojë të dëgjohet me një kujdes të veçantë. Sidomos nëse vëllai ose motra e tij e vogël kanë qëndruar në shtëpi, festimi i kthimit të tij ndihmon të ketë ndjenjën e sigurisë. Për shembull, mund t’i thoni që ishit duke i treguar diçka që vëllai ose motra e tij/saj e vogël akoma nuk është në gjendje ta kuptojë. Sforcimi që ai bën për t’u rritur duhet vlerësuar.

Favorizoni të nxënit

Shumë prej fëmijëve nuk e kuptojnë interesin për shkollën dhe veçanërisht për leximin, sepse prindërit e tyre nuk i kanë stimuluar kurrë interesa të ndryshëm, përveç lojërave dhe televizorit. Kjo nuk do të thotë t’i ulim fëmijët me zor në karrige për të mësuar, por t’u tregojmë atyre të gjitha përfitimet që vijnë nga kjo praktikë. Të dërgoni kartolinat së bashku, të matni kohën e të mësoni se si të orientoheni në një qendër tregtare, qoftë edhe thjesht duke prezantuar pak emocion dhe fantazi në përrallat e treguara para gjumit do të zhvillonte motivimin e tyre. Beson se ai personazh do t’ia dalë mbanë? Çfarë do të bëje ti në vendin e tij? Dëshira për të ditur më shumë e ndihmon fëmijën për të kaluar vështirësitë e të kuptuarit. E njëjta gjë vlen edhe për matematikën, fëmija i integron më mirë nocionet, nëse i përfshin ato në jetën e përditshme (duke numëruar makinat ose kukullat) dhe në këtë mënyrë kupton më mirë domosdoshmërinë e tyre (duke ditur të përdorë monedhat për të blerë karamelet).

Respektoni ritmet e tyre

Pas zgjidhjes së kompleksit të Edipit (4-6 vjeç), pra tërheqja e pandërgjegjshme kundrejt prindit të seksit të kundërt, fëmija hyn në një fazë tjetër (6-8 vjeç) ku energjia e tij është në shërbim të dëshirës për të mësuar, për t’iu hapur botës së jashtme. Megjithatë duhet pasur kujdes që të mos dëshironi ta transformoni fëmijën tuaj në një gjeni të vogël. Kjo pasi fëmija mëson vetëm atë që i lejon pjekuria e tij afektive dhe intelektuale. Pra, si mund të dimë nëse mësimi në klasë është realisht në nivelin e tij? Ekspertët theksojnë se janë vetë fëmijët që pyesin rreth asaj që i intereson apo që nuk kanë kuptuar. Ndaj është e rëndësishme t’i përgjigjeni pa e bërë të ndihet në faj për gabimet e bëra. Në të kundërt, gabimet duhen konsideruar si një mundësi për të ecur përpara.

Kushtojuni vëmendje vështirësive të tyre

Kur një fëmijë ka ndonjë vështirësi, prindërit kanë tendencën të shqetësohen shumë shpejt për aftësitë e dobëta intelektuale. Ndërkohë që shpesh shkaqet duhen kërkuar në marëdhënien me nënën (e cila refuzon t’i japë pavarësinë duhur), në raportin e keq me mësuesen apo ndonjë problem në shtëpi (divorci i prindërve, një sëmundje). Bllokimi mund të lidhet edhe me pyetjet e mëdha ekzistenciale që fëmijët shpesh bëjnë (Si lindin fëmijët? Kush është Zoti?). Nëse atij i mungojnë elementët themelorë, i vogli nuk do të arrijë të kuptojë kurrë plotësisht. Këta elementë lidhen shpesh me ndonjë sekret familjar, një vdekje që i është fshehur, një gjysmë e vërtetë rreth ardhjes në jetë të fëmijëve, etj. Vetëm nëse hidhet dritë mbi pyetjet e ngritura, makina e tij e mendimit mund të fillojë të funksionojë plotësisht.

Nga: Diola Malasi, psikologe në shkollën 9- vjeçare “Ali Agjah”

Share

Të fundit

Të tjera nga kategoria

Shkolla “Mustafë Venhari” në Vushtrri shkëlqen nga pastërtia

Shkolla fillore “Mustafë Venhari” në Vushtrri po dëshmon se një mjedis i pastër është...

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë ekspozohen sot në Prishtinë

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës në bashkëpunim me drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave...

Vrasja e nxënësit 14-vjeçar/ Zbardhet dëshmia në mbledhjen me prindërit: Autori nxori thikën në klasë

Në rrjetet sociale është publikuar një audio nga mbledhja me prindërit e shkollës “Fan...

Kjo është një klasë e improvizuar pas luftës në Gjakovë

Drejotresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi, ka publikuar një fotografi të një klase...