Historianë nga Kosova e Shqipëria kanë rikthyer vlerësimet e tyre për dy prej figurave më interesante të historisë shqiptare, Bajram Curri dhe Luigj Gurakuqi, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së tyre.
Tryeza kushtuar 100-vjetorit të vdekjes së Luigj Gurakuqit e Bajram Currit u mbajt në kuadër të Seminarit të 43-të ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që po mbahet në Prishtinë.
Gjatë kësaj tryeze, historianët thanë se këto dy figura të cilat u vranë në mars të vitit 1925, si kundërshtarë politikë të Mbretit Zog, pavarësisht dritëhijeve të tyre, ende mbesin ndër figurat më të vlerësuara në historinë shqiptare.
Në kumtesën e tij kushtuar jetës dhe veprës së Bajram Currit, historiani Jusuf Bajraktari, kumtesë të cilën e prezantoi historiani Shkodran Imeraj, figura e Currit simbolizon në mënyrë të qartë jetën dhe fatin e popullit shqiptar, si dhe përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi kombëtare. Përmes kumtesës së tij, Bajraktari është ndalur te kontributi i Bajram Currit për të informuar Lidhjen e Kombeve për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë pas pushtimit nga Serbia.
“Dokumentet e paraqitura në Lidhjen e Kombeve janë dëshmi për fatin tragjik që përjetuan shqiptarët nën regjimin serb, andaj figura e Currit mbetet frymëzim i përhershëm për brezat e sotshëm e të ardhshëm”- ka potencuar historiani Bajraktari, i cili për arsye shëndetësore nuk ishte prezent në tryezë.
Marenglen Verli, përmes kumtesës së tij “Refleksion për disa shkrime të mia të viteve 1980-1992 kushtuar Bajram Currit” potencoi se Curri veçohet për pikëpamjet e tij liberale për kohën. “Ai ishte një mbështetës i madh i idesë për hapjen e klubeve dhe shkollave shqipe e i Normales së Elbasanit dhe punoi bashkë me Hasan Prishtinën që rreth gjysma e nxënësve të kësaj shkolle të vinin nga Kosova dhe pjesa e territoreve që mbeten jashtë shtetit shqiptar”- tha Verli.
Kurse, Frashër Demaj foli për figurën e Luigj Gurakuqit si diplomat dhe politikan.
“Gurakuqi ishte poliglot, konsiderohet si nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ismail Qemalit, dhe si shkrues i Deklaratës së Pavarësisë (1912). Bashkë me Hasan Prishtinën e Ismail Qemalin ishin ndër intelektualët më të zëshëm nga elita shqiptare e kohës që përkrahën luftën për çlirimin nga Perandoria Osmane”- tha ndër të tjera Demaj në kumtesën e tij “Luigj Gurakuqi: Politikan e diplomat”.
Për figurën e Gurakuqit foli edhe historiani Teki Kurti.
Gjatë kumtesës së tij “Luigj Gurakuqi – ideolog i kulturës kombëtare shqiptare”, Kurti veçoi kontributin e Gurakuqit në unifikimin kombëtar dhe sidomos në aspektin gjuhësor e letrar.
“Edhe Gurakuqi nuk do të ndalej së shkruari në shtypin e kohës për themelimin e një gjuhe letrare qysh në vitin 1905”- ka thënë studiuesi Kurti.
Ndërkaq, Durim Abdullahu, gjatë kumtesës së tij “Traditat e politikëbërjes në Shqipërinë e çerekshekullit XX: profile dhe kultura politike”, trajtoi edhe figurën e Currit dhe Gurakuqit.
“Ky punim është një analizë e traditave të ndryshme të politikëbërjes në Shqipëri gjatë tre dekadave të para të shekullit XX, përmes profileve të politikanëve dhe kulturave të tyre politike”- ka thënë ai.
Të dy, Curri e Gurakuqi, ishin pjesë aktive e zhvillimeve të vitit 1924 që përmbysën Ahmet Zogun nga pushteti dhe mbështetën Qeverinë e Fan Nolit.
Por, pas rikthimit të Zogut në pushtet të dy u detyruan të arratiseshin, Gurakuqi në Itali, ku u vra më 2 mars 1925, ndërsa Curri në malësinë e Gjakovës, ku u vra më 29 mars 1925 në Dragobi.
Seminari i 43-të i shqipes ka nisur të hënën, më 18.08.2025, në Prishtinë.
Në program të Seminarit edhe këtë vit do të jenë kurse të gjuhës shqipe për pjesëmarrësit e huaj, ligjërata, referime, tryeza e sesione shkencore.
Temat boshte të Seminarit këtë edicion fokusohen në zhvillimet aktuale, qoftë në leksik, në ndikimin apo përdorimin e shqipes në rrjetet sociale dhe në postmodernizmin në letërsinë shqipe.
Seminari i 43-të i shqipes i mbyll punimet më 29.08.2025. / KALLXO.com