Kanë mbetur edhe tri ditë deri kur shumë fëmijë në Kosovë kanë pritur me kënaqësi se do nisin për herë të parë shkollimin e tyre të jetës në klasën e parë.
Por, fatkeqësisht kjo nuk pritet të ndodhë këtë të enjte ngase në shkolla do të ketë grevë e fëmijët do të qëndrojnë ose në shtëpi ose në kujdes ditor e prindëror.
Greva është shpallur nga data 25 gusht Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj thotë se nuk do të lëshojnë pe nga kërkesat e tyre dhe një shtatori do ta gjejë në grevë arsimin në Kosovë.
Në një prononcim për Telegrafin, Jasharaj tha se derisa Qeveria të reflektojë dhe të ulet për të gjetur zgjidhje, për kërkesat e tyre, greva do të vazhdojë.
“BSPK-ja ka shpallur grevën me 25 gusht dhe greva do të vazhdojë, gjersa qeveria të ulet dhe të bisedojë me përfaqësuesit e BSPK-së dhe të fillojë me zgjedhjen e kërkesave tona legjitime. Unë jam i sigurt që një shtatori do të jetë grevë, por uroj që Qeveria të reflektojë dhe sa më shpejtë të arrijmë marrëveshje, në mënyrë që greva të përfundoi. Por situate aktuale tregon se greva do të vazhdojë dhe ne do ta mbajmë fjalën”, deklaroi ai.
Sipas tij, ishte tendencë individuale që të frikësojë grevistët , ajo që kushdo që hynë në grevë do të ketë shkurtim të pagës.
“Grevë do të ketë, derisa nuk ka marrëveshje ashtu si është shpallur para mediave. Ishte tendencë individuale për t’i frikësuar grevistët, ajo që kushdo që hynë në grevë do t’i shkurtohet paga. Mirëpo reagimet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe Juristëve të njohur dhe njerëzve të tjerë, na gëzuan. Ata thanë se do të ishte e tmerrshme që për herë të parë një Qeveri e zgjedhur nga populli, do të bëntë një presion të tillë. Kjo gjë nuk bëri fare përshtypje te anëtarësia. Me presione të tilla Qeveria nuk do të arrijë asgjë”, përfundoi ai.
Kërkesë kryesore e grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, për çka deri tash nuk ka gatishmëri nga Qeveria e Kosovës.
Ndryse kryeministri Kurti ka thënë se nuk është koha për greva por për punë, ndërsa ministria e Arsimit Arbërie Nagavci ka deklaruar se mësimdhënësit mos t’i nënshtrohen presionit të SBASHK-ut për grevë.
Ministrja e Nagavci edhe njëherë ka ftuar mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor më 1 shtator. Sipas saj, mësimdhënësit janë trajtuar mirë më ligjin e ri për paga, i cili pritet të miratohet. Mësimdhënësit, sipas saj, janë trajtuar më mirë se nga qeveritë paraprake, njëherë fton SBASHK-un që të heq dorë nga “interesat të ngushta”.