Tre medalistë të artë të KAMO-s me suksese ndërkombëtare në olimpiada prestigjioze të matematikës

- Advertisement -

Tre nga talentët më të shquar të Olimpiadës Matematike Kosovë – Shqipëri (KAMO), fitues të medaljes së artë në edicionin e vitit 2024, kanë arritur suksese të jashtëzakonshme në olimpiadat ndërkombëtare të matematikës gjatë vitit 2025, duke dëshmuar rëndësinë e kësaj olimpiade si një platformë për përgatitjen e gjeneratës së re të matematikanëve shqiptarë, shkruan AlbanianEducation.net.

- paragrafi 1 -

Vesa Xhymshiti nga Kosova, nxënëse e klasës së shtatë dhe fituese e medaljes së artë në KAMO 2024, ka shkëlqyer në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza (EGMO 2025), ku është vlerësuar me Mirënjohje Nderi për performancën e saj të jashtëzakonshme.

- Advertisement -

Dijar Ademi nga Maqedonia e Veriut, fitues i medaljes së artë në dy edicione radhazi të KAMO-s (2024 dhe 2025), ka përfaqësuar denjësisht trevat shqiptare në Olimpiadën Matematike Ballkanike për të Rinj (JBMO 2025), duke fituar medalje të argjendtë.

- Advertisement -

Marius Gjika nga Shqipëria, gjithashtu fitues i medaljes së artë në KAMO 2024, ka realizuar një sukses të dyfishtë në skenën ndërkombëtare, duke fituar medalje të bronztë në dy nga olimpiadat më prestigjioze: Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare (IMO 2025) dhe Olimpiadën Matematike Ballkanike (BMO 2025).

Këto rezultate flasin qartë për nivelin e lartë të përgatitjes që ofron KAMO dhe për rolin kyç që luan në identifikimin dhe mbështetjen e talenteve të reja shqiptare në fushën e matematikës.

KAMO është një olimpiadë mbarëkombëtare, e përbashkët midis Kosovës dhe Shqipërisë, e organizuar nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (ShMK) dhe Shoqata Shqiptare e Matematikës (ShShM). Përveç nxënësve nga dy shtetet shqiptare, në këtë garë marrin pjesë, në cilësinë e mysafirëve, edhe nxënës shqiptarë nga trevat e tjera dhe diaspora, duke e kthyer KAMO-n në një arenë të përbashkët kombëtare për kultivimin e talenteve në matematikë.