Një konsultë në kohën dhe vendin e duhur sjell një dinamikë dhe risi në procesin e integrimit si për drejtorinë, mësuesin, nxënësin ashtu edhe për familjen duke çelur dritare të reja dhe alternativa të larmishme në formimin e një personaliteti të panjohur deri dje.
Që në hapat e parë të arsimimit duhet të nisin të tilla “trajnime”
Një grup mësuesish nën drejtimin e drejtuesve të institucionit zhvillojnë një takim pune në lidhje me strukturimin dhe vënien në zbatim të disa strategjive për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e procesit edukativ dhe zgjerimin e tij.
Gjatë takimit nxirret njëri prej konkluzioneve tejet dobiprurës, sipas të cilit ky grup pune sheh si domosdoshmëri organizimin e një takimi me familjarë dhe prindër të nxënësve që dëshirojnë të sjellin fëmijët e tyre në atë institucion.
Pjesëmarrja në takim ishte tejet e frytshme, pasi në fakt nuk ndodhi ajo “klasikja” sipas së cilës “të flasë” vetëm drejtuesi i institucionit, përkundrazi, secili prej profesorëve të pranishëm shprehu qartazi ambiciet personale për një zhvillim me hapa sa më të shpejtë të “inteligjencës” tek nxënësit, si një domosdoshmëri e kohës.
Prindërit dhe të pranishmit u qartësuan në lidhje me “strukturën” e institucionit arsimor dhe objektivat që ishin vënë për të marrë një “produkt” sa më efikas. Por ajo që ishte më “tërheqëse” ishte fakti se prindërit “u bindën” që në pikënisje të këtij procesi se çelësi i një arritjeje të këtillë ishte dhe duhej të ishte “arsimimi i përbashkët”, që nënkuptonte një punë të përbashkët që do të duhej të bënin me fëmijët e tyre gjatë tërë këtij rrugëtimi.
Vizitoni familjarisht institucion ku arsimohet fëmija
Ka shumë rëndësi që në hapat e parë të pikënisjes së këtij udhëtimi që familjarët ta shoqërojnë fëmijën e tyre në institucionin arsimor, por jo vetëm:
Interesimi të nisë që ditë më parë se të fillojë procesi arsimor
Familjarët ta shoqërojnë fëmijën në çdo hap të këtij procesi
Të njihen që në pikënisje me arsimtarët dhe procesin në fjalë
Familjarët të njihen më nga afër më strukturat lëndore që do ndjekë fëmija
Të njihen më nga afër me projektet bazë nëpërmjet të cilave fëmija do të integrohet në institucionin arsimor dhe në shoqëri.
Të kuptojnë strategjitë dhe avantazhet që ofrohen për një zhvillim sa më efikas të fëmisë.
Tryeza të rrumbullakëta për mësimdhënësit lëndor të klasave
Për një njohje sa më efikase të natyrës së fëmijës del si domosdoshmëri organizimi i herëpashershëm i tryezave të rrumbullakëta mes arsimtarëve të lëndëve që ofrohen në një klasë.
Kjo sepse:
Rritet disponueshmëria mes kolegëve në trajtimin e çështjeve qoftë për një nxënës të vetëm qoftë edhe për grupin e nxënësve brenda një klase.
Ofrohet mundësia e rrahjeve të mendimeve dhe ideve për “risitë” që duhen ofruar në ndërtimin e një procesi sa më efikas.
Kolegët kuptojnë aftësitë menaxhuese dhe integruese përtej individuales dhe sjellin mendime të larmishme për sa më shumë ristrukturime.
Nxjerrin në pah aftësitë e ndryshme të nxënësve dhe me mbështetje të bordit shfaqin mundësi të reja zhvillimi.
Organizimi i “orëve të hapura”
Organizimet e “orëve të hapura” në lëndë të ndryshme jo vetëm për kuadrin e një lënde, por për kuadrin në tërësi, pra ku të pranishëm janë edhe mësimdhënës të lëndëve të tjera. Të tilla organizime japin mundësinë e ndarjes së eksperiencave të ndryshme për praktikat pedagogjike.
Të tilla orë të hapura në fakt, ka ardhur koha të mos ngelen të kufizuara vetëm brenda kuadrit arsimor, përkundrazi duhet të zgjerohen me pjesëmarrjen edhe të vetë prindërve.
Ashtu siç ndodh herë pas here të ftohen prindërit dhe familjarët e ndryshëm në evente institucionale, ashtu është me rëndësi që prindërit të jenë të pranishëm edhe gjatë një procesi mësimor apo edhe laboratorik. Kjo sepse jo vetëm që prindërit i afron më shumë me fëmijën dhe procesin edukativ që ndjek fëmija, por në të njëjtën kohë kultivon tek ta edhe një koshiencë të hapave që ndiqen gjatë këtij procesi aspak të lehtë.
Trajnimet për proceset e provimeve
Ka shumë rëndësi që brenda institucionit arsimor të zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme trajnime informuese dhe motivuese mes drejtorisë, mësimdhënësve dhe nxënësve për fazat e zhvillimeve të provimeve si për ciklin AMU ashtu edhe për atë AML.
Në mënyrë të veçantë, një rëndësi të posaçme mbart edhe trajnimi që duhet zhvilluar me maturantët të shoqëruar edhe me familjarët e tyre për t’i informuar në lidhje me strukturën e “maturës shtetërore” dhe nismat që duhen merren për një “lehtësim” të mbarëvajtjes së këtij procesi.
Gjatë të tilla trajnimeve është me shumë rëndësi që jo vetëm nxënësit, por edhe vetë prindërit të marrin përgjigje në lidhje me pyetje të tillë si:
Çfarë është procesi i maturës shtetërore?
Përse ka rëndësi që fëmija të përcjellë një proces të këtillë?
Cilat janë programet orientuese për lëndët përkatëse në këtë proces?
Çfarë bashkëpunimi duhet të ketë familja me shkollën gjatë këtij procesi?
Si duhet të orientohet dhe të motivohet nxënësi maturant gjatë këtij procesi jo vetëm nga shkolla, por edhe nga familja?
Cilat janë prirjet që duhet të ndjekë një maturant për të kryer përzgjedhje të drejta dhe të qarta në lidhje me këtë proces?
Ku duhet të bazohet një maturant për t’u qartësuar në lidhje me pikëpyetjet që mund të hasë gjatë këtij procesi?
Sa i gatshëm është një maturant “i sotëm” të përballojë një proces të këtillë, nisur edhe nga vështirësitë që solli “pandemia”?
Cilat janë “detyrimet” e shkollës dhe të familjes për një mbarëvajtje sa më të suksesshme të këtij procesi?
Takimet me prindër, jo thjesht formalitet note
Për fat të keq, rutina e një takimi me prindër ka qenë dhe vijon të jetë organizimi i një takimi, ku prindi paraqitet përpara mësueses apo mësuesit përkatës për t’u informuar në lidhje me “notën” apo edhe “mangësitë” e fëmijës.
Në të tilla organizime mbart një rëndësi të posaçme “fryma bashkëvepruese”, ku të mos dëgjohen vetëm frazat klasike:
– Duhet të punojmë pak më shumë
– Duhet të jemi më të kujdesshëm
– Duhet ta duam librin
– Duhet të mos habitemi ….
Përkundrazi:
– Ta vëmë në dijeni prindin se si zhvillohet procesi
– Çfarë duhet të bëjmë bashkërisht në shkollë dhe në familje, pse jo edhe përtej tyre
– Të organizohen takime të përbashkëta pune për një menaxhim cilësor të procesit
– Të zhvillohen anketime në lidhje me mbarëvajtjen e procesit
– Të ofrohen sugjerime nga prindërit në lidhje me karakteret apo ato aftësi të fëmijëve që nuk shfaqen në ambientin e shkollës.
– Të mënjanohet “frika ndaj notës” …
Puna me ekselencën
Ka shumë rëndësi të zhvillohen takime pune së pari mes mësimdhënësve dhe drejtorisë dhe nxënësve të shkëlqyer në lidhje me mbarëvajtjen e procesit arsimor dhe kulturor
Nxënësit e niveleve të larta çelin dritare të shumta në lehtësimin e një procesi të këtillë.
Gjithashtu e një rëndësie të veçantë është dhe mbetet edhe organizimi i takimeve me familjarët e ekselencës për të rrahur ide dhe mendime të larmishme që nxisin dhe motivojnë një rrugëtim sa më efikas në ngritjen e nivelit intelektual të kësaj kategorie.
Le të mos harrojmë:
Një konsultë në kohën dhe vendin e duhur sjell një dinamikë dhe risi në procesin e integrimit si për drejtorinë, mësuesin, nxënësin ashtu edhe për familjen duke çelur dritare të reja dhe alternativa të larmishme në formimin e një personaliteti të panjohur deri dje.
Gjithçka nis nga një “lexim” i mirë i vetvetes dhe i hapave të integrimit në përpjekje për të përftuar “një produkt” që padyshim mbetet përherë “modeli” inspirues për çdo individ të shoqërisë. /portalishkollor/