Trafiku Urban i Prishtinës ka njoftuar qytetarët se, për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve, do të ndalojë qarkullimin e të gjitha linjave, duke filluar nga dita e nesërme.
Ky vendim prek edhe nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave në kryeqytet, të cilët udhëtojnë me trafikun urban.
Andaj, nga nesër nxënësit dhe mësimdhënësit do të ballafaqohen me vështirësi për të shkuar në mësim.
Njoftimi i plotë i Trafikut Urban:
Të nderuar qytetarë,
Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025.
Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë.
Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.
Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme.
Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve.