Në këtë artikull ua lehtësojmë pak punën me këtë ëmbëlsirë me një mënyrë të re përgatitje.
Tramisunë tradicionale me siguri që të gjithë e njihni dhe e keni provuar, transmeton lajmi.net.
Kjo ëmbëlsirë Italianë në shumë pak kohë është kthyer në një traditë mbarëbotërore.
Shija e veçantë e biskotave, kafes dhe kremit është perfekte për të mbyllur vaktet apo për të shoqëruar çajin pasditeve.
Në këtë artikull ua lehtësojmë pak punën me këtë ëmbëlsirë me një mënyrë të re përgatitje.
Torta tiramisu është më e lehtë në përgatitje, e pasur me fruta dhe plot shije.
Ndiqni mëposhtë mënyrën e saktë të përgatitjes së saj në vetëm disa hapa.
Përbëresit
7 kokrra vezë
7 lugë gjelle miell
7 lugë gjelle sheqer
1 lugë kafeje gjalpë
Për sherbetin
700 gr sheqer
1 litër ujë
Për kremin
500 g maskarpone (krem djathi)
250 ml pana
150 g sheqer pluhur
5 lugë gjelle qumësht
100 gr fruta pylli sipas dëshirës
Përgatitja
Si fillim, rrihni vezët në një tas të madh.
Më pas, shtoni sheqerin dhe vijoni t’i rrihni përreth 20-25 minuta derisa vëllimi i vezëve të trefishohet.
Mielli sitet dhe hidhet pak nga pak në masën e vezëve të rrahura duke e trazuar lehtë me telin e rrahjes së vezëve.
I gjithë sekreti i kësaj ëmbëlsire qëndron në kujdesin që duhet treguar në ruajtjen e vëllimit të masës.
Lyhet tava me gjalpë, spërkatet me pak miell dhe më pas shtohet masa.
Piqet në nxehtësi mesatare përreth 25-30 minuta dhe më pas lihet të ftohet.
Ndërkohë përgatisni sherbetin. Hidhni në një tenxhere sheqerin dhe ujin dhe lëreni të ziejë derisa sheqeri të shkrijë dhe të bëhet në formën e shurupit.
Më pas sherbetin e nxehtë hidhjani sipër ëmbëlsirës së ftohtë.
Pandispanjën mund ta zgjidhni ta blini edhe të gatëshme dhe ta spërkasni me sherbet.
Përgatitja e kremit
Në një tas hidhni panën dhe sheqerin pluhur duke përdorur rrahësin elektrik të vezëve ose dhe telin e kuzhinës, krijoni një shkumë të bardhë.
Duke e përzierë panën me sheqerin, bëni të mundur tretjen e plotë të tij dhe kështu kremi do të ketë një shije më të plotë.
Ndërkohë merrni maskarponen dhe shtojeni tek tasi ku keni panën. Vazhdoni ta punoni me rrahësen elektrike.
Më pas hidhni dhe qumështin, duke qenë më i lëngshëm ai arrin ta bëj më të butë dhe kremoz kremin e tiramisusë.
Pasi të keni mbaruar me të gjithë këto, ndajeni pandispanjën në dy ose tre shtresa të holla të cilat do të shpërbejnë për formimin e tortës.
Pasi ti keni prerë rreth 3-4 cm të trashë secilën prej tyre, atëherë shtroni të parën në një tepsi rrumbullake. Sipër saj shtroni kremin me lugë, sipas dëshirës mund të shtoni edhe arra të therrmuara.
Vendosni përsëri një shtresë pandispanjë dhe sërish krem.
Bëjeni këtë në varësi të shtresave me të cilat doni të ndërtoni tortën tuaj.
Në fund ruani pak krem për të lyer të gjithë sipërfaqen e tortës.
Kur torta juaj të ketë marrë një pamje të bardhë, spërkasni mbi të kanellë dhe shtoni frutat sipas dëshirës.
Lëreni në frigorifer të paktën 4 orë e më pas mund ta konsumoni të freskët.