Qeveria Kurti ka anuluar tenderin 4.5 milionësh për librat shkollorë. Por, për të njëjtën gjë, Qeveria ka dhënë 6 milion euro deri tash, në formë subvencionimi.
Një proces ky që po kritikohet gjithandej, duke qenë që nxënësit, mund të mos pajisen me libra shkollorë deri në fund të shtatorit dhe këtë konstatim, e forcon vetë ministrja e arsimit duke shkruar kështu: “Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore”.
Për prindërit, ky duket të jetë një proces i mundimshëm, si në aspektin kohor poashtu edhe në atë teknik. Për fëmijët, kuptohet: do të nisin shkollën nesër, pa libra…
Vendimi i Qeverisë Kurti, që librat për nxënësit t’i blejnë vetë prindërit, përmes subvencionimit të tyre në llogaritë personale të prindërve, ka shkaktuar një tollovi të jashtëzakonshme.
Kjo vërehet në disa prej faqeve të famshme në Facebook, si ‘Netëork Prishtina’ e të tjera, por edhe në vetë mesazhet që prindërit po lënë në llogarinë e Facebook-ut, të ministers së arsimit, znj.Arbërie Nagavci.
Disa nga prindërit, shprehin shqetësime për mos-funksionimin ose për mos-njohurinë e mënyrës së përdorimit të faqes e-kosova, ndërsa disa prej tyre, shfaqin indinjatën për telashin që ka shkaktuar Ministria.
Dje, ministria e arsimit, Nagavci foli rreth këtij problem kështu:
“Të dashur prindër, Me vëmendje jemi duke e përcjellë situatën dhe shqetësimet tuaja rreth aplikimit në platformën e-kosova për subvencionimin e teksteve shkollore.
Deri tash në këtë platformë kanë aplikuar gjithsej 92 mijë prindër. Për të gjithë ata që kanë aplikuar, ju informoj se jemi në proces të aspekteve teknike për transferim të mjeteve në xhirrollogaritë tuaja. Po ashtu, ju siguroj se të gjitha ankesat që i kemi pranuar deri tash janë duke u shqyrtuar”.
Një problem tjetër që është paraiqtur në këtë proces, është edhe rasti i nxënësve 5 vjeçarë, pasi subvencionimi për librat, është vetëm prej moshës 6 vjeçare.
“Sa i përket rasteve kur nxënësit janë 5 vjeç, pagesa do të bëhet pas verifikimit të rasteve. Mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.
Kemi kërkuar nga DKA-të që të publikojnë listën për tekste shkollore dhe sipas informatave tona, shumica e shkollave tashmë i kanë publikuar tekstet e zgjedhura nga aktivat profesionale”, shkruan Nagavci.